E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri, shkollat nën masa të rrepta sigurie

Sot, në ditën e parë të shkollës, nxënësit dhe prindërit nuk do të mendojnë për asgjë tjetër veç se urimet, udhëzimet dhe emocionet e çeljes së vitit shkollor. Sytë e fëmijëve dhe gjimnazistëve do të jenë të përqendruar tek objektivat e arsimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm. Për pjesën tjetër "teknike" do të kujdeset Policia e Shtetit. Policia e Tiranës, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka marrë masa për forcimin e rendit e sigurisë publike, pranë qendrave studentore dhe shkollat e të gjitha niveleve. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2009- 2010, në zbatim të detyrave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e rendit dhe të qetësisë, pranë territoreve ku do të kalojnë sot nxënësit në kryeqytet.

Organizimi

Strukturat e Policisë së Tiranës kanë njoftuar dje zyrtarisht se janë angazhuar për të marrë masa të plota për organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të policisë, në interes të garantimit të rendit e qetësisë publike dhe zhvillimit normal të procesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në Qarkun e Tiranës.

Për mbarëvajtjen e këtij procesi mësimor janë ngarkuar me detyra patrulla e përgjithshme e policisë, strukturat e hetimit të krimit, shërbimet e qarkullimit rrugor, duke bashkëpunuar edhe me drejtuesit e shkollave, si edhe duke patrulluar shpeshherë në afërsi të shkollave dhe qendrave studentore, sipas juridiksionit që ato mbulojnë. Në ditën e parë të shkollës, Policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie, të cilët do të mbajnë kontakte me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë së shkollave që kanë në territorin e tyre.

Masat

Sot, forcat e rendit nuk do të lejojnë hyrjen e personave të tjerë në ambientet e shkollave, të cilët prishin rendin e qetësinë publike. Po ashtu, sipas njoftimit zyrtar, policia do të mbajë kontakte të vazhdueshme me personelin mësimdhënës, në drejtim të evidentimit të nxënësve problematikë.

Për efekt të ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë në shkolla forcat e rendit do të bashkëpunojnë me rojet private të shkollave. Një pikë tjetër e parashikuar është moslejimi i parkimit të automjeteve apo shitësve ambulantë pranë objekteve shkollore, me qëllim parandalimin e aksidenteve apo shkeljeve të tjera të ligjit. "Do të identifikojnë dhe kontrollojnë elementët me precedentë policorë, që cenojnë rendin e qetësinë publike apo kanë tendenca për kryerjen e veprave penale. Do të shkëmbejnë eksperienca dhe japin mesazhe në drejtim të luftës kundër drogës, alkoolit, trafikimeve të ndryshme", sqaroi dje zyrtarisht Drejtoria e Policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›