Protokolli me Serbinë, të hënën nisin protestat
Vetëm disa orë pasi organizatat joqeveritare të Kosovës lajmëruan për organizimin e një proteste masive kundër nënshkrimit të Protokollit për bashkëpunim policor mes Serbisë dhe EULEX-it, erdhi konfirmimi se ky protokoll u nënshkrua. Protesta kundër protokollit për bashkëpunim policor EULEX-Serbi do të mbahet këtë të hënë, dhe jo të mërkurën, sikur ishte paralajmëruar fillimisht nga 22 organizata joqeveritare. Lideri i lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, tha se nënshkrimi i Protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë është shumë i padrejtë dhe shumë i dëmshëm për Kosovën. "EULEX-i është bërë agjent i shtimit dhe i trashjes së lidhjeve të varësisë së Kosovës me Serbinë", tha Kurti për "Express", pas lajmit se EULEX-i ka nënshkruar protokollin. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të organizohen e të mobilizohen kundër EULEX-it dhe protokolleve të tij, të cilat, sipas tij, nuk do të ndalen vetëm me këtë bashkëpunim policor. "Është e qartë se nuk mund të llogarisim në qeverinë, e cila duket që më të rëndësishme e konsideron vetveten, sesa shtetin e Kosovës", u shpreh ai. Kurti shtoi se 22 organizata u bashkuan për kundërshtimin e këtyre protokolleve dhe hipokrizisë së krerëve institucionalë. Këto organizata po këtë ditë bënë thirrje që të hënën të dalin sa më shumë qytetarë për të protestuar këtë protokoll dhe protokollet e tjera që EULEX po i nënshkruan me Serbinë. Protesta do të jetë e ngjashme me atë të 2 dhjetorit të vitit 2008, ku rreth 40 mijë qytetarë të Kosovës dolën për të protestuar kundër Planit gjashtëpikësh, e që edhe tani pritet të ketë edhe më shumë njerëz për të protestuar protokollin EULEX - Serbi. Në konferencë u tha se EULEX po vazhdon me nënshkrimin e protokolleve të njëpasnjëshme, të cilat çdo ditë e më shumë po e mohojnë pavarësinë e Kosovës.