E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, dita e verdiktit për Mediun

Prokuroria do të përdorë të gjitha "armët" sot gjatë procesit gjyqësor kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të mos u tërhequr nga akuzat ndaj tij. Megjithëse i pandehuri ka fituar imunitet të ri gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, grupi i prokurorëve do të përpiqet që t‘i "mbushë mendjen" trupit gjykues që gjyqi të vazhdojnë normalisht, pasi Parlamenti ka vendosur njëherë pro heqjes së imunitetit ndaj Mediut. Sipas të dhënave, "beteja" midis palëve në proces mund të shërbejë për një cikël të ri për drejtësinë shqiptare, pasi çfarëdolloj vendimi që do të merret do të përdoret si shembull për proceset e tjera vijuese. Megjithatë, mungesa e një precedenti të tillë ka sjellë dyzimin e Kolegjit Penal në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili duket se do të ketë të njëjtin fat me një tjetër proces të shumëpërfolur, ai i "Durrës-Kukës". Duket se mbrojtja e ish-ministrit të Mbrojtjes do të këmbëngulë në pezullimin ose pushimin e procesit gjyqësor, pasi klienti i tyre ka fituar imunitet të ri.

Skenarët
Pritet që kjo kërkesë të kundërshtohet me forcë nga trupa e katër prokurorëve të akuzës qendrore, të cilët do të kërkojnë që provat në dosje të shqyrtohen dhe të verifikohen dhe në fund të vendoset nëse Mediu ka faj apo jo për tragjedinë. Por kurrsesi, akuza qendrore nuk do të pajtohet me një vendim përfundimtar për mbylljen e procesit, çka do ta bënte rastin e dytë që një ministër të shpallet i "pafajshëm" për disa abuzime vetëm me procedura. Gjithsesi, të gjithë skenarët ngelen për t‘u konsumuar sot në orën 10:00 të paradites, ku palët (prokuroria dhe avokatët) do të ballafaqohen para Gjykatës Supreme në Shqipëri. Seanca e kaluar u shty, pasi avokatët, në pamundësi për të qenë në sallën e gjyqit, njoftuan Gjykatën e Lartë me faks se janë bllokuar në qytetin e Kukësit, për shkak të angazhimeve dhe për një arsye tjetër që lidhet me bllokimin e tunelit të Kalimashit. Pas leximit të faksit nga gjykata, reagoi prokuroria, e cila e quajti qesharak pretendimin e mbrojtjes. Sipas prokurorit Arben Dollapi, tuneli, me vendim të Këshillit të Ministrave do të mbyllej në orën 11:00, ndërkohë që avokatët duhej të kishin mbërritur për gjyq. Të ndodhur në këto kushte, gjykata caktoi datën e sotme si ditë për seancën e radhës. Rrezikon që procesi të dështojë, pasi, kryetari i Partisë Republikane ka përfituar një mandat të ri deputeti në Parlament, pasi emri i tij figuron fitues në Qarkun e Tiranës. Një tjetër aludim i juristëve është se gjykata dhe prokuroria duhet të marrin sërish leje në Parlament për të hetuar dhe gjykuar një deputet. Në këtë rast duhet të rifillonin të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe Kuvendi të votonte për heqjen ose jo të imunitetit. E gjithë "loja" e avokatëve mbrojtës mund të sjellë një pushim të të gjitha akuzave ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Kundërakuza
Por edhe i akuzuari Mediu ka çuar në gjykatë vetë organin e akuzës dhe specifikisht prokurorin Sokol Stojani. Kështu kërkesa e Fatmir Mediut, ish-ministër i Mbrojtjes, që të ndiqet penalisht kryesuesi i hetimeve për Gërdecin, Sokol Stojani, është caktuar të zhvillohet sot në Gjykatën e Tiranës. Seanca u shty në fund të muajit korrik, pasi nëpërmjet një shkrese, ish-ministri i Mbrojtjes, i marrë i pandehur nga prokuroria për shpërthimin e 15 marsit në vitin 2008 në Gërdec, i kërkonte gjykatës që të shtynte procesin, pasi ishte i sëmurë dhe do të shkonte në Greqi për ekzaminime mjekësore. Gjyqtari i çështjes i pranoi "justifikimet" e kreut të PR-së dhe e shtyu seancën për sot më 14 shtator. Duket se fati i këtij procesi do të pasohet nga ai i orës 10:00 që do të zhvillohet në Gjykatën Supreme. Nëse Gjykata e Lartë vendos që procesi të pezullohet ose pushohet, atëherë ky proces do të mbyllet. Ish-ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës që të zhvlerësojë një vendim të prokurorisë së kryeqytetit, e cila nuk ka filluar një hetim ndaj kryehetuesit të dosjes "Gërdeci", Sokol Stojani. Ai kërkon shfuqizimin e vendimit të datës 21 prill 2009, të prokurorit Genti Xholi dhe Genci Qana për mosregjistrimin e procedimit penal në bazë të padisë së bërë nga ish-ministri Fatmir Mediu. Sipas kërkesës që Fatmir Mediu ka dorëzuar në gjykatë, thuhet se në padinë e tij ai kishte dhënë prova të qarta për ndjekjen penale të Sokol Stojanit, i cili në mënyrë tendencioze dhe për të ulur figurën e tij, kishte dërguar mesazhe telefonike në një emision televiziv ku Mediu ishte i ftuar. Sipas Mediut, këto prova të paraqitura nga ai nuk janë analizuar fare dhe prokurorët vendosën rrëzimin e padisë dhe mosnisjen e hetimeve për të paditurin. Kërkesën e tij, Mediu e ka bazuar në nenin 291/2 të Kodit të Procedurës Penale.
Pra, krahas çështjes së mësipërme, Mediut i duhet të shkojë sot në dy seanca gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›