E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri shkollor Basha Do te vendosim standarte europiane ne shkolla

Kryebashkiaku Lulzim Basha u ka uruar një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë  nxënësve të kryeqytetit që nisën vitin e ri shkollor.  Urimin e tij zoti Basha e përcolli sot nga gjimnazi “Sami Frashëri” shkollë në të cilën ka mësuar edhe vetë. Krahas urimit kryebashkiaku  Basha ka shprehur angazhimin e tij për të vendosur standartin europian në shkollat, kopshte dhe çerdhet e Tiranës. “Jam kthyer me kënaqësi të madhe në gjimnazin ku kam studiuar vetë, një nga gjimnazet më të njohura në historinë e arsimit shqiptar dhe më të mira gjimnazin “Sami Frashëri”. Me këtë rast dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të këtij gjimnazi, trupës pedagogjike, drejtoreshës, një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Sikundër dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të kryeqytetit, nxënësve anembanë Shqipërisë, prindërve të tyre, një vit të mbarë dhe të suksesshëm arsimor. Bashkia e Tiranës edhe këtë vit ka marrë masat për të hedhur një tjetër hap cilësor në raport me  infrastrukturën  arsimore. Natyrisht nevojat vijnë gjithmonë e në rritje, edhe për faktin sepse numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare edhe të mesme, sikundër në kopshte dhe çerdhe ka ardhur duke u rritur edhe për faktin se është vetë natyra jonë që të kërkojmë standarde më të larta vit pas viti, natyrisht duke u matur me objektivin tonë të standardit europian në shkolla. Në këtë drejtim Bashkia e Tiranës po investon si për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, meremetimin e atyre ekzistuese, dhe pajisjen me infrastrukturën e plotë me palestra, me kabinete, me laboratorë dhe aktualisht  po investohet dhe do të investohet në ndërtimin e 9 palestrave të reja anembanë qytetit të Tiranës dhe 25 laboratorëve, për të bërë të mundur pra një cilësi më të lartë në mësimdhënie.  Edhe një herë nga zemra dua t’ju uroj të gjithë nxënësve të kryeqytetit, të shkollave 9-vjeçare, të shkollave të mesme, si dhe vogëlushëve nëpër çerdhe dhe kopshte: Vit të mbarë arsimor! I njëjti urim vlen edhe për prindërit e tyre’’-u shpreh  Basha.  Me buxhetin e vitit  2012 Bashkia e Tiranës ka realizuar dhe ka në proces rikonstruksionin e 8 kopshteve dhe ndёrtimin e 4 kopshteve  të rinj, rikonstruksionin e 6 shkollave 9- vjeçare dhe ndёrtimin e 4 shkollave tё reja, rikonstruksionin e 2 shkollave tё mesme dhe ndërtimin e 1 shkolle  tё re. Do tё ndёrtohen 9 palestra tё reja dhe  do tё rikonstruktohen  ato ekzistuese. Do tё  shtohen 25 laboratorё tё rinj. Do të instalohet sistemi i ngrohjes në 20 objektet që rikonstruktohen dhe në 9 objektet e reja që do të ndërtohen.  Në buxhetin afatmesëm 2013–2015, parashikohet rikonstruksioni i 4 kopshteve dhe  ndёrtimi i 6  të rinjve (kopësht i integruar), rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare dhe ndёrtimi i 3 objekteve tё reja, rikonstruksioni i 1  shkolle tё mesme dhe  ndёrtimi i 2 objekteve tё reja, do tё ndёrtohen 5 palestra tё reja dhe  do tё  shtohen 34 laboratorё tё rinj.  Instalimi i sistemit të ngrohjes do të realizohet në 15 objektet që rikonstruktohet dhe në 10 objektet e reja që do të ndërtohen.

Urojnë dhe ministrja Nikolla e Kumbaro
Në ditën e parë të shkollës Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, së bashku me Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro vizituan Liceun Artisik “Jordan Misja” në Tiranë, për të parë nga afër fillimin e vitit të ri arsimor dhe për t’i uruar nxënësve fillimin e shkollës.
“Zgjodhëm të vijmë jo pa arsye këtu, në liceun “Jordan Misja”, pasi që sot do të fillojë një përqasje tjetër ndaj arsimit në përgjithësi dhe arsimit kulturor veçanërisht. Do të sigurohemi që këta talente jo vetëm të marrim aftësimin më të mirë të mundshëm në shkollë, por dhe të bëhen protagonist të shpërndarjes së kulturës në çdo shkollë në vend. Për mua është një ditë e veçantë dhe një privilegj i madh, që dita e parë e vitit shkollor përkoi me ditën e parë të punës së qeverisë. Ky është një ogur i mirë për qeverinë, e cila synon të bëhet qeveria e dijes, duke investuar gjithë energjitë, vizionin dhe financat që do të duhen për ta rilindur arsimin shqiptar” - tha ministrja Nikolla. Ndërsa ministrja e Kulturës Kumbaro theksoi se kjo ministri do të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Arsimit për ta përcjellë artin dhe kulturën tek çdo i ri në të gjithë vendin. “Për ne kultura nuk do të jetë më një bezdi e strukur në një cep, por do të zërë vendin që meriton në qendër të formimit të të rinjve. Ndaj ne si Ministri Kulture do të bashkëpunojmë ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit për ta përcjellë artin dhe kulturën tek çdo i ri në të gjithë vendin” – u shpreh Kumbaro.

Kryeministri Rama dhe ish Kryeministri Berisha, urojnë nisjen e vitit të ri shkollor Kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social Facebook, ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor. Urimin e tij, “vit të mbarë shkollor nga një ish-nxënës”, Rama e ka shoqëruar me një fotrografi personale, së bashku me nënën e tij. Urime për vitin e ri shkollor ka përcjellë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në mesazhin publikuan në Facebook, Berisha uron së pari nxënësit e klasave të para e më pas të gjithë mësuesit, të cilët e vlerëson si misionarëve fisnik të dijes dhe edukimit të femijeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›