Serbia: Kemi dëshmitar për trafikun e organeve në Kosovë

Prokurori serb për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviç, ka deklaruar se ka dëshmitar që ka marrë pjesë në trafikim të organeve të të burgosurve serbë, nga ana e ish pjesëtarëve të UÇK-së, në fund të viteve të 90-të.
“Ne e kemi një dëshmitar, që ka dëshmuar për procedurën mjekësore, të bërë në pjesën veriore të Shqipërisë, që përbëhej nga marrja e organeve nga serbët e rrëmbyer gjatë konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë”, i tha Vukçeviç agjencisë AFP.
Sipas tij, ky dëshmitar ka përshkruar një operacion zemre të një të burgosuri serb në një rajon afër Kukësit, në fund të viteve të 90-të dhe transportimin e organit në aeroportin Rinas, afër Tiranës.
“Ky dëshmitar tha se zemra ishte shitur në tregun e zi”, theksoi Vukçeviç, duke shtuar se dëshmitari e kishte përshkruar procedurën në detaje dhe kishte pretenduar se ai personalisht kishte marrë pjesë në këtë, raporton AFP.
Lidhur me akuzat për trafikim të organeve nga ish pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë, po zhvillohen hetime nga një prokuror i misionit të Bashkimit Evropian, EULEKS.
Zyrtarët më të lartë në Kosovë dhe Shqipëri i kanë hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për trafikim të organeve, që për të parën herë ishin paraqitur në raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës, por janë shprehur në mbështetje të hetimeve gjithëpërfshirëse për këtë rast.