Reeker: Javët e ardhshme kritike, përfundoni reformat para tetorit
Tiranë- Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker, i ka bërë sërish apel politikës të përmbushë reformat e integrimit evropian.
Ai ka zgjedhur ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri për tu takuar me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe për të ritheksuar edhe një herë se ky muaj është kritik për vendin.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ramën, ai u shpreh se përpara Tetorit duhet të përfundojë reforma parlamentare, të hiqet imuniteti dhe të përfundojë ligji për Gjykatën e Lartë.
“Javët e ardhshme janë të rëndësishme dhe kritike për Shqipërinë në të demostruarit e reformave dhe seriozitetin e qëllimeve që shkojnë përtej politikës e që pasqyrtojnë interesin më të mirë dhe dëshirat e popullit shqiptar. Parlamenti ka në fuqinë e tij që të ndikojë në raport progresin e Komisionit Europian. Ne besojmë se gjetja e dakordësisë për reformën parlamentare, kalimin e ligjit për Gjykatën e Lartë dhe votimi për ndryshimet kushtetuese dhe imunitetet janë të arritshme dhe do të jenë hapa të rëndësishëm për Shqipërinë- tha Reeker.
Ndërsa kryesocialisti Rama u shpreh se takim i tij me zyrtarin amerikan ka qenë një mundësi e mirë për të biseduar mbi të ardhmen e vendit. Sipas tij, SHBA- ja do të vijojë mbështetjet për vendin tonë, ndërsa ka thënë se është biseduar edhe për forcimin e institucioneve të vendit.
Ishte një rast i shkëlqyer për të konfirmuar bazën solide të partneritetit dhe qëllimet e përbashkëta për prespektivën e vendit dhe rajonit, lidhur me familjen evropiane dhe botën demokratike. Së treti duke u fokusuar tek prespektiva evropiane, ne shkëmbyem ide lidhur me përshpejtimin e progresit të vendit. Qoftë në drejtim të BE- së, qoftë të standarteve që do ta bjënë vendin si një shtet me institucione të forta e të pavarura. Me një parlament që të përfaqësojë shqiptarët qoftë në opozitë ose pushtet- tha Rama.
Një ditë më parë Reeker u takua me kreun LSI-së, Ilir Meta si dhe me përfaqësuesit e FRD-së dhe Aleancës Kuqezi.
/IDEA/