E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti më i rëndësishëm

Viti 2011 për Fatmire Bajramajn do të jetë më i rëndësishmi në karrierën e saj të deritashme. Arsye për këtë është mbajtja e Kampionatit botëror në Gjermani, të cilin synon ta fitojë sërish. Konkurrentë për këtë trofe, 22 vjeçarja sheh edhe SHBA’në, Brazilin, Suedinë e Anglinë. Sulmuesja kosovare mendon se zhvillimi si futbolliste ka të bëjë shumë me transferimin në Turbine Potsdam. Nga Express më 19 shkurt 2011 në ora 12:30

Shpesh e vlerësuar si vajza magjike e futbollit gjerman, Fatmire Bajramaj e ka zbuluar dashurinë e saj ndaj lojës se bukur - futbollit, që në moshën e re.

Pasi u largua nga Kosova si katërvjeçare, ajo filloi futbollin gjate vitit të parë të saj në shkollë. Fillimisht fshehurazi, kundër dëshirës së babait të saj, por më vonë me përkrahjen e tij të plotë.

Bajramaj ka bërë debutimin e saj ndërkombëtar në tetor të vitit 2005, në një ndeshje kundër Skocisë, ndërsa u bë kampione bote me Gjermaninë në Kampionatin e parë botëror të saj, i cili u mbajt në Kinë dy vite më vonë.

Në një intervistë për FIFA.com, 22 vjeçarja flet për Kampionatin e ardhshëm botëror 2011 që zhvillohet në Gjermani, për filozofinë e saj të futbollit dhe rreth asaj që pse futbolli i femrave në Gjermani është vazhdimisht duke u forcuar.

Keni pasur një start të shkëlqyer në 2011, duke qenë e nominuar përkrah Prinzit dhe Martas, për çmimin e futbollistes më të mirë në botë. Sa i rëndësishëm do jetë ky vit për ju?

Bajramaj: Ky vit do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time të deritashme, thjesht për shkak të Botërorit që do të mbahet në Gjermani.

Ju keni luajtur në një Kampionat botëror të femrave. Sa nga ajo përvojë do të jeni ne gjendje ta bartni në këtë botëror?.

Bajramaj: Natyrisht, do të sjellim përvojë që kemi fituar në Kina 2007 në turneun e sivjetshëm, por do të jetë shumë ndryshe nga ajo para katër viteve. Ne nuk do të jemi në gjendje ta kalojmë gjithë turneun pa pranuar gola ose duke i ‘shkatërruar’ gjithë kundërshtarët tanë. Do të jetë shumë interesant.

Sa është i madh presioni, pasi Gjermania në Kampionatin botëror 2007 ka pasur thuajse një rekord perfekt. Sigurisht se ajo nuk mund të përsëritet?

Bajramaj: Mendoj se keni nevojë për pak presion për t’ia dalë mirë, por duhet të jeni në gjendje të merreni me atë dhe ne sigurisht që mundemi. Ne do ta vëmë veten në presion sepse do të luajmë në Gjermani, në shtëpinë tonë.

Çfarë nënkupton për ju të jeni pjesë e Kampionatit botëror që zhvillohet në vendin tuaj?

Bajramaj: Nuk ka asgjë më të mirë për një lojtare sesa të luajë në Kampionatin botëror në vendin e vet. Natyrisht, përveç që ta fitosh titullin e kampionit.

Cilat janë pritjet nga Botërori? Cilat ekipe mendoni se do të luftojnë për titull?

Bajramaj: Mendoj se do të ketë shumë befasi në këtë vit. Favoritet e zakonshme për titull janë: Suedia, SHBA-ja, Brazili dhe Anglia, por mendoj se ka edhe ekipe tjera që mund të bëjnë befasi.

Sikurse...?

Bajramaj: Mund të them Nigeria, edhe pse vitin e kaluar e kemi mposhtur befasisht me rezultat të thellë.

Ju ende jeni shumë e re dhe shumë njerëz presin që ju të jeni njëra prej futbollisteve më të mira në botë në një të ardhme jo shumë të largët. Në çfarë aspekti mund të thoni se jeni zhvilluar më së shumti në vitet e fundit?

Bajramaj: Zhvillimi im si futbolliste ka të bëjë shumë me transferimin në klubin Turbine Potsdam. Jam zhvilluar aty si person dhe si futbolliste. Mendoj se kam përparuar edhe me prezantimin tim në media. Në fakt, jam duke e shijuar interesimin e mediave.

Gjermania tash e një kohë të gjatë është ekipi më i fortë në botën e futbollit femëror. Cili është çelësi i suksesit?

Bajramaj: Në Gjermani e kemi njërën nga ligat më të forta dhe stërvitemi shumë intensivisht. Kjo është arsyeja që futbolli i femrave në Gjermani ka përparuar shumës. Në Gjermani punohet shumë.

Cili është objektivi juaj? Ta mbroni titullin?

Bajramaj: Kjo është një pyetje qesharake (qesh ajo). Natyrisht se duam ta fitojmë sërish titullin e kampionit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›