Bambi e Peja sfidojnë Prishtinën
Ndeshja ndërmjet Pejës dhe Kolegjit EuroSport, e cila zhvillohet të shtunën në ‘Karagaç’, e hap stinorin pranveror në BKT-Superligën e Kosovës në basketboll.
Njohësit e basketbollit kosovar parashikojnë se katër skuadrat, të cilat pjesën e parë të kampionatit e përmbyllën në katër pozitat e para të tabelës - saktësisht Sigal Prishtina, Bambi, Peja dhe Trepça - edhe do të kualifikohen në garat e play-off-it, në të cilat luftohet për titullin e kampionit.
Trajneri Jeton Nixha thotë se edhe sivjet Sigal Prishtina do të jetë favoriti kryesor për t’u stolisur me titullin e kampionit. Por, ai e paralajmëron ekipin bardh e kaltër se kësaj here do t’i bëjë konkurrencë shumë të fortë në luftën për titull ekipi serb nga veriu i Mitrovicës, Bambi.
“Në pjesën e parë të kampionatit, Bambi ka dëshmuar se ka kapacitet për të luftuar për titull. Mendoj se ky ekip ka ambicie serioze, andaj edhe është përforcuar me katër lojtarë tjerë. Bambi do të jetë pretendent për titull, bashkë me Sigal Prishtinën dhe Pejën”, deklaroi Nixha për Express.
Sipas tij, kësaj radhe edhe Peja me seriozitet do t’i qaset luftës për titullin e kampionit, ndonëse verdhezinjtë akoma nuk kanë bërë ndonjë përforcim. “Sigurisht se Peja do t’i bëjë ato përforcime, por kur do t’i bëjë, mbetet të shihet”, theksoi ai.
Nixha mendon se Trepça do t’ia del të kualifikohet në garat e play-off-it. Por, ekipi mitrovicas, sipas Nixhës, do ta ketë shumë vështirë në luftë për titull nëse nuk e bën ndonjë përforcim cilësor.
Për ish skuadrën e tij Bashkimin, Nixha parashikon se nuk do t’ia del as të kualifikohet në garat e play-off-it, ndonëse portokallinjtë janë përforcuar me dy basketbollistë amerikanë. Ai kujtoi se Bashkimi ka ngecur shumë mbrapa në tabelën e klasifikimit gjatë stinorit vjeshtor.
“Bashkimi edhe pse është përforcuar me dy amerikanë, të cilët thuhet se janë cilësorë, do ta ketë shumë, shumë vështirë të kualifikohet në play-off, nëse nuk përforcohet edhe me lojtarë cilësorë kosovarë”, tha Nixha.
Njëjtë si Nixha është shprehur edhe trajneri tjetër nga Prizreni, Naser Oskaçek. “Nuk besoj se do të ketë befasi. Sigal Prishtina është favoriti kryesor për titull, sepse ka një ekip homogjen, pasi që një kohë të gjatë lojtarët e Prishtinës luajnë së bashku”, pohoi Oskaçek.
Sipas tij, për titullin e kampionit në garat e play-off-it bardhekaltrit do të sfidohen seriozisht nga Bambi, Peja, por edhe Trepça. Edhe Oskaçek nuk beson se Bashkimi do të mund të kualifikohet në garat e play-off-it.
E shtunë
Peja – K. EuroSport(14:00)
E diel
Bashkimi – Kosova(19:00)
Bambi – S. Prishtina(13:00)
E hënë
Trepça- Mitrovica(19:00)