Viti shkollor përfundon më datë 1 qershor
TIRANE-1 Qershori do të jetë muaj provimesh për nxënësit e klasës së 9-të të arsimit bazë, të cilët do të përfundojnë vitin shkollor që në datën 1 qershor. Sipas rregullores së miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pro-vimet pritet të nisin me lëndën e parë, atë të Gjuhës Shqipe, që do të zhvillohet më datën 7 qershor. Provimi i dytë për lëndën e Matematikës do të zhvillohet më 19 qershor. Ashtu siç veprohet edhe për maturën, provimet e lirimit do të zhvillohen në një ditë për të gjitha shkollat e arsimit të detyruar në vend. Tezat e provimit për secilën lëndë do të hartohen nga AVA, si dhe do të shpërndahen drejt ambienteve të përcaktuara për provim nën masa të rrepta sigurie, për të mos lejuar rrjedhjen e informacioneve. Për nxënësit që nuk do arrijnë të marrin notë kaluese në sezonin e parë, do të ketë edhe provime vjeshte. Kështu, nxënësit mbetës do të mund t’i japin të dy këto provime në datat 1 dhe 6 shtator. Sipas urdhrit të MASH, drejtoritë Arsimore Rajonale dhe drejtoritë e shkollave duhet të marrin të gjitha masat që viti mësimor 2009-2010, për klasat e nënta të mbyllet sipas programit dhe me nota përfundimtare për çdo lëndë brenda datës 2 qershor 2010, duke shfrytëzuar orët në dispozicion. Njëkohësisht edhe për këtë kategori provimesh janë përcaktuar oraret e konsultimeve që do të zhvillohen nga mësuesit e lëndës sipas klasave përkatëse. Konsultimet do të zhvillohen për të dy lëndët që do të jepen provim me shkrim nga nxënësit.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)