E Diel, 1 Nëntor 2026

Viza në qershor për të majtët e të djathtët

Nuk është vetëm fjalë thënia e vjetër që gjërat e mira vijnë nga deti. Kështu solli dhe ministri i Jashtëm italian, ish-komisioneri i Komisionit Evropian, Franko Fratini, haberin e mirë se liberalizimi i vizave për shqiptarët do të ndodhë në qershor të vitit 2009. Kjo sigurisht nuk është elektorale, as nuk po ndodh për inat të opozitës e hatër të pozitës, por po ndodh për meritë të shqiptarëve që kanë kontribuar dhe meritojnë të jenë bashkëqytetarë të Bashkimit Evropian. Një ven i NATO-s, ashtu siç do të jetë Shqipëria në prill të vitit të ardhshëm, do të meritojë dhe lëvizje të lirë në Evropë e kjo është duke ngjarë, pavarësisht mërzisë së një pjese të opozitës. Janë të nevojshme pasaportat biometrike, kartat e identitetit dhe vendi ynë shkon drejt liberalizimit të vizave. Ajo që përmendi diplomati italian, është më shumë se një mbështetje, është angazhim evropian për Shqipërinë, është monitorimi që ata i kanë bërë vendit tonë dhe ka rezultuar premtues. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është sërish një detyrë kushtëzuese, por që në raportet e ndërkombëtarëve ka marrë nota maksimale. Por ajo që shënonte sërish një dështim interesi që u ngjason protestave në Kubë kundër imperializmit, është grumbullimi i “Mjaft” me këngë alla Duçe duke protestuar dhe dhënë një kundërshti socialiste në formën më të pabukur. Mjaftistët, kolegët vartës të Veliajt, kërkonin që të respektohen qytetarët shqiptarë në Itali, që sipas tyre, nuk kanë të drejtat e duhura. Paktësia e informacionit që kanë të rinjtë protestues, ashtu siç harronin t’u thoshin protestuesve anti-Gërdec që janë në Vorë e jo në Vlorë, nuk dha asnjë lloj hijeshie, kjo i nxori ata të keqpërdorur në këtë inat ndaj fqinjëve. Kjo nuk ia hoqi mirësinë e lajmit mbështetës të Franko Fratinit, nuk ia pakësoi madhështinë e firmës së Xhorxh Bushit, nuk e zbehu as ecurinë e reformave. Nuk duhet aspak që Partia Socialiste të ndihet keq, sepse shefi i diplomacisë italiane dhe më parë komisioner për drejtësinë në Bashkimin Evropian, erdhi për të rithënë se ajo që ai kishte firmosur për hapje bisedimesh për liberalizim vizash, do të ndodhë në qershor të vitit 2009. Për të përshëndetur firmën e Xhorxh Bushit kryetari socialist i dha leje Arta Dades, sekretares së marrëdhënieve me jashtë, që të uronte me dy ditë vonesë aktin më madhor të pritshëm. Ndërsa dje në përshëndetje të asaj që kumtoi Fratini lejoi apo ideoi mjaftistët që të këndonin për fashizmin. Kjo gjetje nuk është mënyra më e mirë që shoqata nën përkujdesjen e Edi Ramës të shprehë patriotizmin e saj, pasi ligështimi i të majtëve vjen nga fakti që liberalizimi prish punë ngaqë është premtimmbajtje e mazhorancës. Brenda një mandati qeverisja demokratike ka mundësuar nëpërmjet përmbushjes së detyrimeve me ndërkombëtarët partnerë, anëtarësim në aleancë dhe qytetari evropiane. Kjo do të ndodhë në prag të zgjedhjeve, ashtu si dhe do të përurohet rruga Rrëshen-Kalimash, ashtu siç do të mbarojnë qindra kilometra rrugë dhe nisin mijëra të tjera.

Pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit, më 15 mars 2008, Shqipëria nuk u ndëshkua për këtë fatkeqësi të madhe, por u shpërblye më 3 prill pas dy javësh për reformat dhe mori ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, pra në tavolinën e Aleancës u shtuan dy karrige, një për Tiranën dhe tjetra për Zagrebin. Protestat e organizuar nga Partia Socialiste në Vorë, pak metra larg ngjarjes, nuk shënuan befasi, por kujtuan përdorjen e vdekjes që me pa të drejtë u cenua në mënyrë të gabuar. Përplasja politike në Tiranë për të pasur mbështetjen amerikane shpesh ka prodhuar ngjarje jo të kujdesshme. Kur të gjithë dëgjuam diplomatin amerikan anonim që u thoshte gazetarëve se Uashingtoni është i shqetësuar dhe Senati rrezikon të mos ratifikojë marrëveshjen e Protokollit të Shqipërisë me NATO-n, Rama doli në mënyrë rrufe në konferencë shtypi për të shpërndarë alarmin që kishte marrë me qera. Pas dy ditësh, një letër nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush mbështeste lidershipin shqiptar, Kryeministrin Berisha, dhe jo më shumë se pak ditë të tjera Senati amerikan zyrtarizoi ratifikimin e Protokollit.

Edhe aksidenti “Trebicka” nuk është se u solli fat gjahtarëve të fatkeqësive, Ramës dhe fjalëthënësve të selisë rozë, pasi kërkuan ethshëm që kjo të ishte vrasje. Prokuroria e pavarur, ekspertët e pavarur, specialistët amerikanë po të pavarur, nuk provuan asgjë nga pretendimet e Edi Ramës për ta shpallur aksidentin vrasje.

Lëkundjet dhe dyshimet e një mbështetjeje amerikane ishin më tepër iluzion, pasi që prej një shekulli amerikanët nuk kanë marrë ndonjëherë vendim në dëm të shqiptarëve. Mirënjohja duhet të jetë e madhe. Sërish kritikat për pavarësinë e gjyqësorit e të prokurorisë gjetën mbështetjen amerikane të ambasadorit, që mbrojti me të drejtë institucionet që në vetvete u deklaruan në ngërç, por të pacenuara.

Përfaqësuesja amerikanë e misionit OPDAT të asistencës së prokurorisë theksoi dje se është e nevojshme që imuniteti t’u hiqet përballë hetimeve të drejtësisë dhe gjyqtarëve e prokurorëve. Një variant që ka propozuar mazhoranca, një ide që duhet të vihet në zbatim dhe për deputetët e zyrtarët e tjerë të lartë, që tregon se nuk është Berisha që kërkon të cenojë pavarësinë e gjyqtarëve, prokurorëve, institucioneve.

Nëse ata janë dëshmitarë dhe duan të jenë bashkëluftues kundër korrupsionit, atëherë le ta bëjnë këtë për çdo ministri duke provuar pretendimet. Në këtë nismë do të kenë aksionet më të mëdha nga të gjithë qytetarët që i mbështesin dhe mund të shtojnë dhe më tepër radhë. Por jo. Dhe kjo nuk ndodh për disa arsye që unë po i marr njëherësh si akuza, por dhe dyshime. Ka ministra, ministri, ku të majtët kanë në punë të vetët që nëse do inventarizoheshin, do të bënin pa asnjë pikë frike shumicën e administratës. Ka deputetë që lobojnë e ministra që bëjnë flirte ekonomike me të majtët e kjo sjell biznes të përbashkët për politikanët e mazhorancës dhe opozitës. Ka dhe ministra që bëjnë ndere me frikën se nuk do jenë më nesër e ku i dihet, vijnë këta dhe ta kemi mirë përsëri. Kjo ngathtësi e paqartësi misioni nga një pjesë e së djathtës ka prodhuar kosto për mazhorancën.

Rama ka mundur që disa nga ministrat, t’i bëjë aleatë dhe kam vënë re se janë të paktën katër ministra që prej një viti e gjysmë që opozita u nuk tërheq asnjëherë veshin. Të gjesh përse-në në këtë rast, mund të dalin përgjigje plot ekonomike, ose për t’i ndarë qartë, janë pjesë e atyre politikanëve që rrinë me PD-në kur kjo është në pushtet dhe me PS-në kur PD-ja është në opozitë. Miqësia e vjetër këtu nuk dihet cila është dhe ministrat janë të mirë. Rama gjithashtu ia ka dalë që duke qenë dhe kryetar partie e kryetar bashkie, të përqendrojë bateritë partiake në pjesën më të madhe te sulmet ndaj qeverisë dhe pjesën tjetër në mbrojtje të bashkisë. Ky koordinim i ka sjellë fat dhe para, që e kanë bërë të pushtetshëm, pasi në këtë mënyrë ai transferon nëpërmjet financave edhe pushtet. Kjo ndërthurje e oligarkisë financiare bën që opozitës të mos i ecë, ndërsa mazhorancës të mos i vrapohet. Ndaj vizat mund të shkundin shumë palë që do të kthjellohen para qershorit të zgjedhjeve, sepse liberalizmi është dhe për të majtët e për të djathtët. Për një mandat nuk është pak, frika opozitare ka të bëjë me pasqershorin e 2009-ës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›