E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Beja: Raporti i KE-së do t´i dorëzohet qeverisë

Në një prononcim për mediat, Beja bëri të ditur se raporti i ekspertëve në Bruksel i 25 korrikut do t'i kalojë qeverisë shqiptare, duke i hapur rrugën përfundimtare procedurave të mëtejshme të institucioneve evropiane në muajin shtator.

“Ky raport do t'i dorëzohet qeverisë shqiptare, e cila gjatë muajit gusht mund të bëjë dhe komentet rreth tij. E rëndësishme është që konstatimet e ekspertëve evropianë kanë qenë në përputhje me deklarimet e qeverisë për realizimin nga Shqipëria të kushteve që u shtuan së fundi. Kjo shënon mbylljen e historisë së ekspertëve që do të vijnë në Shqipëri për të parë ecurinë e çështjes së vizave, ndërsa hap siparin tjetër me diskutimin në Komisionin e çështjeve të Brendshme, që pritet të jetë rreth datave 5-6 shtator”, pohoi Fatos Beja.

Sipas tij, më 21-23 shtator pritet të mbahet sesioni plenar i Parlamentit Evropian, ku mund të diskutohet dhe njëkohësisht mund të ketë një takim të ri të Komisionit të Jashtëm të PE-së. “Me zhvillimin e këtyre procedurave procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë shkon drejt përfundimit të marrjes së vendimit dhe hyrjes në fuqi të tij, në pak muaj”, u shpreh kryetari i komisionit të Jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›