E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Berisha-policisë: Duhet një plan i ri masash

Kryeministri ishte i pranishëm në analizën vjetore të punës së Policisë së Shtetit që po zhvillohet sot në Tiranë, nga ku ka përshëndetur efektivët e policisë për punën dhe arritjet gjatë këtij viti.

 “Keni bërë sakrifica, por nga ana tjetër keni bërë një shërbim të pa krahasueshëm. Heqja e vizave nuk mund të realizohet pa punën e Policisë së Shtetit”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se të gjitha arritjet, bënë që vendet anëtare të zonën Shengen të vendosnin për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë. Kryeministri përmendi këtu edhe arritjet në strukturat e policisë së shtetit, duke përmendur këtu modernizimin e sistemit të kontrollit.

Ai ka dhënë edhe porositë ndaj forcave të rendit pas hyrjes në fuqi të vendimit për heqjen e vizave. “Duhet një plan i ri konkret masash për t’iu përgjigjur me përgjegjësinë më të madhe këtij bashkëpunimi. Asnjë vend, asnjë qeveri nuk mund të marrë kriminalitet shtesë për qytetarët e vendit të tij, ndaj ju takon ju që të merrni masa. Unë jam i bindur se ju do ta realizoni këtë bashkëpunim dhe keni në dorë të gjitha mjetet, përkushtimin për një kontroll të plotë të kufijve tanë ajror dhe tokësor”, tha kryeministri.

Më tej, duke përmendur rritjen e numrit të turistëve, kreu i qeverisë tha se policia duhet të marrë të tjera masa shtesë për të siguruar qetësinë për vizitorët. Gjithashtu, kryeministri ka kërkuar nga forcat e rendit që të marrin masa për aksidentet rrugore, duke theksuar se Shqipëria duhet të jenë në mesataren e Bashkimit Evropian.

“Është e domosdoshme të shqyrtojmë ligjet që kanë të bëjnë me trafikun dhe në qoftë se është e nevojshme të amendohen. Çështja e aksidenteve rrugore është një çështje madhore për çdo vend të lirë, por, në qoftë se studioni dhe ndiqni statistikën, do ta gjeni në nivelet më të larta në vendin tonë. Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ne si objektiv kemi e do të kemi mesataren e Bashkimit Evropian. Unë kërkoj nga policia që të programojë punën në këtë fushë, në mënyrë që të ketë një rënie tjetër më drastike e të vazhdueshme të aksidenteve. Po të shohësh këtë tregues, vendet që kanë tre-katër herë më shumë makina për frymë, se ne, i kanë aksidentet tre herë më të ulëta se ne”, tha gjithashtu kreu i qeverisë.

Një temë tjetër e Berishës, ishte edhe krimi brenda familjes. “Më krijohet përshtypja se kjo çështja në familje, po i bëhet si mburojë këtij lloj krimi. Dhe mendoj se nuk e kam shumë të gabuar këtë përshtypje. Po të kthehemi 7-8 vjet më parë, ka pasur një indiferencë ndaj këtij krimi dhe më e keqja, konsiderohej si rrethanë lehtësuese në sistemin tonë të drejtësisë. Ata që kryenin një krim në familje dënoheshin në nivelet më minimale. Unë ju ftoj ta përparësojmë në mënyrë absolute këtë krim”, tha gjithashtu. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-14 10:58
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›