E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Bushati: Liberalizimi, peng i qeverisë familjare të Berishës

Partia Socialiste vlerësoi dje se vendimi që penalizon Shqipërinë për lëvizjen e lirë është rezultat i dështimeve të qeverisë "Berisha". Një ditë pas zyrtarizimit të këtij vendimi, ku Shqipëria dhe Bosnja u lanë në listën e pritjes për liberalizimin e vizave, reagoi Partia Socialiste përmes kandidatit për deputet, Ditmir Bushati. Sipas tij, ky çmim i rëndë për shqiptarët ishte paralajmëruar nga PS-ja dhe kjo për shkak të paaftësisë e të korrupsionit të kësaj qeverie.

"Pra, shqiptarët e shqiptaret detyrohen të vazhdojnë të paguajnë, fare padrejtësisht çmimin e lartë të mungesës së lirisë së lëvizjes në Europë, për shkak të Sali Berishës e të një qeverie të kthyer në një biznes familjar", tha ai.

Bushati theksoi se në kundërshtim me propagandën boshe të oborrit të Kryeministrit dhe tonelatat e gënjeshtrave elektorale për Shqipërinë pa viza, qëndrimi i Komisionit Europian konfirmon se qeveria familjare e Sali Berishës, siç e konsideroi ai, ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Më tej, Bushati renditi dështimet e qeverisë "Berisha" që çuan në një vendimmarrje të tillë nga Komisioni Europian. Sipas tij, Sali Berisha ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve,

në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kryesisht në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare e komunitetit rom.

Njëkohësisht, Bushati deklaroi se qeveria familjare e Sali Berishës mban përgjegjësi direkte për klimën konfliktuale ndaj agjencive të zbatimit të ligjit dhe në stimulimin e aferave megakorruptive. Duke penalizuar kështu padrejtësisht shqiptarët që do vazhdojnë të mbeten peng i regjimit të vizave, ndërkohë që qytetarët e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi do të lëvizin lirisht në Europë, qeveria familjare e Sali Berishës e thellon më tej hendekun mes Shqipërisë e vendeve të rajonit.

Dy ditë më parë, Komisioni Europian zyrtarizoi vendimin për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, duke u dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë në BE, e duke lënë jashtë kësaj liste Shqipërinë. Megjithëse saktësohet se dera vijon të mbetet e hapur dhe Shqipëria ka mundësi që të përfitojë lehtësira në mesin e vitit 2010.

Mëhilli:

PS-ja, në dëshpërim nga

dhimbja e humbjes

Selia e demokratëve reagon për çështjen e liberalizimit të vizave. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, në kundërpërgjigje të selisë rozë theksoi se "Rama, në vazhdën e përpjekjeve për të maskuar humbjen e zgjedhjeve, shprehu gëzimin dhe kënaqësinë se Komisioni Europian vendosi që të shqyrtojë gjatë vitit liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Dje, çuni i Kristaqit e sot çuni i Sulës derdhën lot krokodili për këtë vendim dhe akuzuan qeverinë për këtë". Partia Demokratike, duke i hedhur poshtë pretendimet e Partisë Socialiste nëpërmjet zëdhënëses së saj, bëri me dije se "këto qëndrime të çunave të bllokut siguron shqiptarët se premtimi i saj elektoral për heqjen e vizave brenda vitit të parë të mandatit të saj të dytë do të bëhet realitet". Sipas Mëhillit, "deklaratat e PS-së për liberalizimin e vizave do të dëgjohen gjatë gjithë verës për të maskuar humbjen dhe shpëtuar veten nga dorëheqja".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›