"Viktimat" e KZAZ-së nr. 20
Personat e radhëve të para të protestës së KZAZ-së 20 po përballen me forma të ndryshme ndëshkimi. Studenti Kumaraku u mbajt pa asnjë akuzë dhe motiv për më shumë se 72 orë nga Policia e Fierit. Po ashtu, edhe policja e bashkisë, Shpresa Toto, denoncon dhunën që është ushtruar ndaj saj gjatë 10 orëve qëndrim në mjediset e komisariatit. Toto ka treguar për "Shqip" se ajo është e operuar tri herë për shkak të një aksidenti me makinë dhe tri ditë pas protestës te KZAZ-ja 20, Policia e Fierit e ka marrë me dhunë dhe e ka futur në dhomat e paraburgimit. "Kam kërkuar akuzën, urdhrin e prokurorit dhe motivin e futjes sime në paraburgim, askush nuk më ka thënë asgjë. Ndërsa shefi i krimeve, Pandi Gjoni, më drejtonte të ulesha në stol, pasi e dinte që isha e sëmurë, shefi i komisariatit Latif Kulla ka urdhëruar dhunë ndaj meje. Më ka marrë zvarrë për disa metra dhe më qëllonte. Pasi më mbajtën mua dhe 16 persona të tjerë në paraburgim më liruan dhe ende edhe sot nuk më kanë kërkuar të paktën falje", thotë Shpresa Toto, ndërsa tregon shenjat e dhunës në qafë.