E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vizat", Fratini: “Liberalizimi në 2009-ën”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, kreu një vizitë njëditore në Tiranë, ku u takua me zyrtarët e lartë shqiptarë, në fillim me homologun e tij, Basha, më pas me kryeministrin Berisha, presidentin Topi dhe Kryetaren e Kuvendit, Topalli. Fratini shprehu besimin se marrëveshja për liberalizimin e vizave mund të arrihet në qershor të vitit të ardhshëm. “Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për vizat, që janë dokumentet e sigurta të identifikimit dhe lufta kundër krimit”. Ministri i Jashtëm Italian, mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Lulzim Basha, me të cilin vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Në fjalën e tij, Fratini theksoi se me rëndësi për integrimin e Shqipërisë janë reformat dhe ato duhet të bëhen në bashkëpunim mes shumicës dhe opozitës. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë marrëdhënie shembullore dhe pozitive. Ndoshta nuk më mbetet shumë për të shtuar, por ato janë një model pozitiv, sepse ne bashkëndajmë të njëjtin vizion në lidhje me të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai është model pozitiv bashkëpunimi ekonomik. Italia është fuqishëm partneri i parë ekonomik për Shqipërinë. Por sigurisht kemi një bashkëpunim të shkëlqyer edhe në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve të shumta të paligjshme që deri pak vjet më parë bënin që Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë në Itali të shiheshin me njëfarë shqetësimi. Sot, ne kemi 400.000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, duke respektuar ligjin, me përjashtime të vogla që ndëshkohen”. Sipas kryediplomatit italian, në rrugën drejt integrimit në BE, “shpërndarja e pasaportave biometrike është një hap pozitiv, i cili do të përforcohet vitin e ardhshëm kur Shqipëria do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s, por integrimi, - tha Fratini, - varet nga reformat dhe rezultatet që duhet të arrijnë, për të cilat Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Italisë”. Ministri i Jashtëm Italian, Franko Fratini, ritheksoi bindshëm mbështjetjen që Italia do të japë ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik edhe gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin shqiptar. “Duke filluar me një regjim të liberalizuar të vizave, tani me prodhimin dhe më pas me shpërndarjen e pasaportave biometrike, do të jetë një proces që i afrohet përfundimit dhe plotësimit të tij. Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota të NATO-s dhe kjo hap me siguri një perspektivë të re, për stabilizimin dhe sigurinë e tërë rajonit. Natyrisht, rruga drejt BE-së varet nga reformat dhe rezultatet që Shqipëria do të dijë të arrijë, por është një rrugë ku Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Italisë. Në planin dypalësh të gjitha marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, në të gjitha fushat dhe, sigurisht, rezultatet që Shqipëria do të arrijë, do të inkurajojnë edhe më tej, një numër gjithmonë në rritje, të sipërmarrësve italianë, të cilët do të investojnë në Shqipëri. Marrëveshjet e rëndësishme që ne firmosëm sot janë një provë e kësaj. I shpreha Kryeministrit që jemi të gatshëm të fillojmë për përcaktimin e një marrëveshjeje të re kuadër për bashkëpunimin për zhvillim midis Italisë dhe Shqipërisë. Është një marrëveshje për të cilën ne po punojmë, në të cilën do të bëjnë pjesë sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm, siç është ai i bujqësisë. E konsiderojmë bashkëpunimin në sektorin e infrastrukturës një prioritet dhe Korridorin Tetë një prioritet akoma dhe më të madh. Sigurisht, kemi një interes të madh për mundësitë që Shqipëria na ofron për prodhimin e energjisë elektrike, për të cilën Italia ka shumë nevojë. Mendojmë se një bashkëpunim më i ngushtë edhe në sektorin e turizmit do të ishte një mundësi e mëtejshme për investitorët italianë që të mund të vlerësojnë dhe të shfrytëzojnë këto mundësi për investimet e tyre në Shqipëri. Nga ana e tij, Kreu i Ekzekutivit, Berisha, i paraqiti Franko Fratinit modelin e pasaportës biometrike që do të mbajnë shqiptarët, si "demonstrim i përpjekjeve të qeverisë për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. - E bëj këtë sepse ministri i Jashtëm, Fratini, si një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, solli këtu disa muaj më parë mesazhin e hapjes së negociatave për liberalizmin e vizave. Atëherë kam premtuar se Shqipëria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të pasur dokumentet më të shkëlqyera të identitetit, kontrollin më të mirë të kufijve, për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin për liberalizmin e vizave", - tha Kryeministri.

Fratini për vizat

“Qeveria i mbajti premtimet e dhëna Evropës. Dhe kjo i hap rrugën arritjes së atyre rezultateve që do të jenë të prekshme, të dukshme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Duke filluar me një regjim të liberalizuar të vizave, tani me prodhimin dhe më pas me shpërndarjen e pasaportave biometrike, do të jetë një proces që i afrohet përfundimit dhe plotësimit të tij”.

Energjia elektrike

“E konsiderojmë bashkëpunimin në sektorin e infrastrukturës një prioritet dhe Korridorin Tetë një prioritet akoma dhe më të madh. Sigurisht, kemi një interes të madh për mundësitë që Shqipëria na ofron për prodhimin e energjisë elektrike, për të cilën Italia ka shumë nevojë”.

Anëtarësimi në BE dhe NATO

“Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota të NATO-s dhe kjo hap me siguri një perspektivë të re për stabilizimin dhe sigurinë e tërë rajonit. Natyrisht, rruga drejt BE-së varet nga reformat dhe rezultatet që Shqipëria do të dijë të arrijë, por është një rrugë ku Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Italisë”.

Berluskoni vizitë në Tiranë

Kryeministri tha se, gjatë takimit që pati me ministrin e Jashtëm italian, Fratini, ai e siguroi se, në një kohë të shpejtë, Kryeministri Italian, Silvio Berluskoni, do të vijë për një vizitë zyrtare në Shqipëri. “Kjo vizitë shënon një ngjarje tjetër kulmore në marrëdhëniet tona, një nxitje të madhe dhe inkurajim për biznesin italian, për të investuar në Shqipëri”, - tha Kryeministri.
Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›