E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, MPJ: BE mbështetje të fuqishme Shqipërisë

“Propozimi për përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo ajo të përmbushë detyrimet e mbetura, dëshmon për përkrahjen e gjerë dhe të fuqishme që gëzon vendi ynë për të realizuar lëvizjen pa viza të qytetarëve dhe për të avancuar bindshëm në rrugëtimin tonë evropian pa vonesa”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni.

Sipas tij, në deklaratën e përbashkët theksohet qartë vullneti politik brenda institucioneve të Bashkimit Evropian për një trajtim urgjent të çështjes së vizave për Shqipërinë, pasi Komisioni Evropian të ketë vlerësuar pozitivisht përmbushjen e të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit.

“Qeveria shqiptare i siguron të gjithë partnerët tanë evropianë se ne do të përmbyllim me sukses dhe pa humbur kohë të gjitha detyrimet e mbetura në këtë proçes, dhe se angazhimi ynë do të vazhdojë të jetë po kaq intensiv në çdo etapë të marrëdhënies tonë me Bashkimin Evropian. Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian, është e vendosur në realizimin e hapave të mbetur dhe shpreh bindjen se lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen do të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010”, vijon deklarata.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›