Uidhers: Shqipëria përkrah nesh në Irak dhe Afganistan
Në Regjimentin Komando në Zall Herr u zhvillua ceremonia e përurimit të “Poligonit të Luftës në Qendrat e Banuara”, investim i Ambasadës amerikane në Tiranë dhe Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes. Të pranishëm në këtë aktivitet ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Maksim Malaj, zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu. Ambasadori amerikan Xhon Uidhers tha se, në botën e sotme nuk ka një luftë më të madhe se sa lufta kundër terrorizmit global. “Eshtë nder për mua që si përfaqësues i qeverisë amerikane dhe popullit amerikan, të jem me ju dhe kolegët shqiptarë në luftën kundër terrorizmit”, tha Uidhers. Nën vlerësimin se poligoni i ri do të jetë tepër i rëndësishëm në trajnimin në luftën kundër terrorizimit, Uidhers shtoi se: “Forcat e Armatosura Shqiptare (FA) që kanë qëndruar përkrah SHBA-së në luftën në Irak, janë ende duke përkrahur luftën tonë në Afganistan njësoj si sikurse duhet të qëndrojë një vend që është anëtar i NATO-s”. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se: “Ndërtimi këtij poligoni modern me ndihmën e qeverisë së SHBA-së është vijimi i modernizimit të FA tona në përputhje dhe kërkesat e standardet e NATO-s”. Duke cilësuar prioritet luftën ndaj terrorizmit, Imami tha se: “Rritja e kapaciteteve operacionale nëpërmjet ndërtimit të mjediseve të tilla moderne dhe kualifikimi i stafit ushtarak është domosdoshmëri për ne, si një vend anëtar i NATO-s”. Sipas tij, në kuadër të përgatitjes sonë për operacione të një stadi më të avancuar, investimi me vlerë 1.5 milionë dollarë është shumë i rëndësishëm. Ministri i Mbrojtjes, Imami falënderoi së pari Qeverinë amerikane dhe Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë për mbështetjen e pakursyer, që i kanë dhënë Shqipërisë e në veçanti Forcave të saj të Armatosura. Në përfundim të ceremonisë, forcat speciale dhe komando realizuan një stërvitje në mjediset e poligonit të ri.