E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Spanja: S’kemi asnjë rezervë politike



27 ministrat e Brendshëm europianë diskutuan dje në mesditë mbi çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. "Mbi propozimin për kushtëzimin e vendimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën që prezantova, patëm diskutime mjaft të mira dhe natyrisht që Këshilli do t'i kthehet kësaj çështjeje sapo ne t'i kemi dërguar grupet përfundimtare të ekspertëve e ta kemi përpiluar vlerësimin tonë pas verës", ka deklaruar Cecilia Malmstrom, komisionere për çështjet e Brendshme. Ndërsa Alfredo Perez Rubalcaba, Ministër i Brendshëm i Spanjës, është shprehur: "Këtë mëngjes nuk dëgjova ndonjë rezervë politike, të gjithë ishin pro liberalizimit, megjithëse disa vende anëtare u shprehën se shpresonin që këto dy shtete kishin kohë mjaftueshëm për të përmbushur kushtet. Komisionerja na raportoi për situatën. Presidenca e Komisioni ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria e Bosnja kanë bërë përpjekje e kanë ende një copë rrugë për të bërë. Por ne shpresojmë se ata do t'i përmbushin të gjitha kushtet nga vjeshta, në mënyrë që të konkludohet kënaqshëm me liberalizimin e vizave në momentin e duhur". Ministrat e Brendshëm europianë duket se nuk kanë rënë dakord me propozimin e Sllovenisë, që vendimi për heqjen e vizave të kalojë në shtator në Këshillin e parë Europian, që është ai i ministrave të Bujqësisë si Pikë A, që do të thotë pa diskutime të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm europianë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›