E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Takimi Muzikor i dy Botëve” çel Edicionin e katër



Festivali “Takimi Muzikor i dy Botëve” çel Edicionin e katër në kalanë e Gjirokastrës nën kujdesin e deputetit të zonës, z.Genc Ruli. Të ftuar do të jenë gupe nga Maqedonia, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria. Festivali do të prezantohet nga aktorët Viktor Zhusti dhe Blerta Syla. Sopranoja Eva Golemi e shoqëruar nga kuarteti i harqeve të Akademisë së Arteve në Prishtinë “Artus”, do të jetë e para që do të performojë për publikun, pasuar ditën e dytë, të shtunën, nga një koncert i grupit polifonik “Bilbilenjtë e Progonatit” (Shqipëri) dhe Kuinteti kamertal i fizarmonikave të ardhur nga Kroacia posaçërisht për festivalin. Ndërkohë që nata finale do të sjellë në skenën e improvizuar në kalanë e Gjirokastrës një koncert të grupit polifonik të Himarës dhe nga Maqedonia do të performojë për publikun Toni Kitanovski dhe Chekrezi Orchestra. Festivali Takimet muzikore të dy botëve, që tradicionalisht mbahet në Gjirokastër, këtë vit nga 4 deri ne 6 qershor 2010, do të organizojë edhe një debat mbi komunikimet kulturore ndërshqiptare dhe prezantimin e kulturës shqiptare në botë, si kontribut për fillimin e një reflektimi më serioz të kësaj problematike.

Festivali “Rock in Tirana” sjell dy grupe me famë botërore

Ndoshta për të treguar se muzika rock është ende gjallë edhe në Tiranë, organizatorët e festivalit “Rock in Tirana”, për të dytin vit radhazi po mendojnë për fansat dhe admiruesit e kësaj rryme muzikore. Për të dytën herë do të zhvillohet në kryeqytet, festivali “Rock in Tirana”, më 5 dhe 8 qershor. Natën e pare, sipas organizatorëve është menduar një koncert i Uli Jon Roth band, kitaristi legjendar i grupit “Scorpions” dhe “Rainboë”, të cilët vijnë me këngëtarin Joe Lynn Turner. Mbrëmja e dytë festivalit do t’u kushtohet të rinjve. Për herë të parë në Tiranë do të vijnë dy nga grupet më të dashura për rininë sot për sot “Planet funk” dhe “One Republic”. Turner është konsideruar nga kritika si një nga zërat më fuqishëm dhe më të bukur të kësaj muzike. Ndërsa hitet e “One Republic”, njihen jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga moshat e tjera, mjaft të përmenden dy nga më të suksesshmet “Apologize” apo “All the right moves”. “One Republic”, banda e rock-ut, e frymëzuar nga Timbaland, producenti më i njohur i muzikës hip-hop, do të ndezë stadiumin “Qemal Stafa” në një natë të paharrueshme të datës 8 qershor, me shumë ritëm, energji dhe adrenaline të lartë.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›