Lin Delia vjen në atdhe me një seri antologjike në pikturë
Izaura Ndoj
Një ndër emrat e mëdhenj të pikturës shqiptare, Lin Delia, vjen përmes pikturave në Muzeun Historik Kombëtar. Piktori që njihet për ngjyrat e kthjelltë dhe të ndriçuara, për personazhet e veçanta të spikatura të tij ka pushtuar shumë galeri në mbarë botën. Ekspozita "Rrugëtime paralele" e Lin Delisë është hapur mbrëm, dhe është hera e parë që piktori i shquar Lin Delia vjen në atdhe me një seri antologjike në pikturë. Pas çeljes së ekspozitës është mbajtur tryeza e rrumbullakët "Lin Delija: “Rrugëtime paralele" dhe është promovuar katalogu i pikturave i pajisur me shënime honorifike nga Presidenti i Republikës, nga miq të artistit dhe nga kritikë arti. Kuratorët premtojnë një ekspozitë ku rindërtohet krijimtaria e gjerë e Delisë, e lidhur ngushtë "me ngjarjet politike të tokës së tij amtare", po edhe me jetën në të gjitha shfaqjet e saj shprehur në copëza nga Ungjilli, peizazhe, portrete dhe nature morte. Ekspozita u bë e mundur nga Shoqata Kulturore Lin Delija që kryesohet nga miku dhe koleksionisti i apasionuar i tij Armando Nicoletti. Armando Nikoletti në një prononcim për gazetën “Albania” tha se “ Unë dhe Erika Shuls, kemi sjell disa vepra dhe kemi dhuruar 27 vepra Galerisë Kombëtare të Artit në Tiranë. Përmes këtyre dhurimeve ne kemi arritur të njohim shumë njerëz që e adhurojnë piktorin e shquar me origjinë shqiptare”. Më tej ai cilësoi “Dhurimi i fundit që ne kemi bërë ishte tabloja e mirënjohur “Portret vajze”, e pikturuar gjatë vitit 1968, dhuruar Presidentit të Republikës së Shqipërisë më 2009, sot pjesë e fondit të ekspozuar në Presidencën shqiptare. Unë e kam njohur Shqipërinë përmes këtij artisti pasi nuk dija asgjë për Shqipërinë. Kam qenë së bashku me të për 25 vite me radhë deri në momentin e vdekjes. Gjatë kësaj kohe ne gjithmonë flisnim për Shqipërinë madje dhe në veprat e tij ka personazhe dhe frymëzime nga Shqipëria. Ai asnjëherë nuk e ka harruar Shqipërinë”. “E vlerësoj si artistin më të madh të artit të shenjtë. Mendoj se ai ishte i vetmi që bën art të shenjtë në mënyrë kaq religjioze sepse dhe ai vet është ishte tepër fetar. Një detaje që vlen të përmendet është se Lin Delia ka mbajtur veshjen e françeskanëve deri sa vdiç”- pohoi Armando Nikoletti.
Ndër dhurimet që Armando Nicoletti u ka bërë shqiptarë nga vepra e bashkatdhetarit të tyre të shquar përmendim edhe “Portretin e Gjergj Fishtës” (1979), dhuruar Katedrales “Our Lady of Albanians” në Detroit, SHBA, dhe tablonë e mirënjohur “Portret vajze”, e pikturuar gjatë vitit 1968, dhuruar Presidentit të Republikës së Shqipërisë më 2009, sot pjesë e fondit të ekspozuar në Presidencën shqiptare.
Pak Biografi për Lin Delijan
Lin Delija(3 shkurt 1926) është një nga emrat e mëdhenj të pikturës shqiptare, lindur në Shkodër e nxënës i Fishtës. Familja e tij internohet që në vitet e para të ardhjes në pushtet të komunistëve dhe në 1948 ai arratiset në Jugosllavi. Nga Titogradi zhvendoset në Hercegovinë ku ushtron pikturën dhe kryen studimet. Studime të mëtejshme vijon në Akademinë e Arteve të Bukura të Zagrebit e atë të Romës.
Ndër punimet e pikturuara dhe të ekspozuara në galeri të ndryshme të kësaj periudhe spikasin: Burri me këmishë të bardhë, Autoportret, Kryqëzimi, Martiri i Shën Sebastianit, Peizazh, Studio e piktorit, Mater Dolorosa. Në vitet 60 jep pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences e 20 vjet më pas themelon Akademinë “Carlo Cesi” në Antrodoco. Me pikturën “La Pala della Madonna degli albanesi” nis e përvijohet te Lin Delija i viteve ’60 një mënyrë e veçantë e konceptimit të sakrales brendashkruar botës së traditës shqiptare, duke sjellë një varg veprash që karakterizohen nga përfshirja e objektit sakral në një mjedis me elemente peizazhi, kostumografie dhe shprehjeje gjestuale e fizionomike karakteristike shqiptare. Pikturon gjithashtu Fytyrën e Krishtit, e cila sot bën pjesë në Koleksionin e Artit Modern të Vatikanit, Shën Mërinë e Popullit, pjesë e Koleksionit të Artit e Spiritualitetit në Muezun “Pali VI” dhe Maria në Golgota që ruhet sot në Muzeun “Lin Delija-Carlo Cesi” në Atrodoko. Piktura e tij nis të fitojë ndërkaq një paletë ngjyrash të forta. Meqenëse Androdoëo i kujtoj qytetin e lindjes Shkodrës, Delija frymëzohet jo pak këtu. Një miqësi e ngushtë dhe e gjatë lind mes tij dhe Armando Nikoletit, i cili jo vetëm do ta ndihmojë të ekspozojë në Antrodoko e në galeri të tjera, por do të përkujdeset edhe pas vdekjes së piktorit për ekspozimin dhe promovimin e veprës së tij. Ndërkaq në galerinë “La Botteguëia di Donna Tania” në Romë Lin Delija paraqet gjatë një ekspozite personale veprat: Shkodrani, Tri Hiret, Pëshpëritja e malsorëve, Shkodrania, Shtregulla në Shqipëri, Lule, Kitaristi dhe Peizazhi; ndërsa në Firence ekspozohet një seri pikturash ku disa nga personazhet e njohura biblike që rikthehen nga vdekja, si Lazari dhe bija e Giairo, në zhvillimin artistik të dramës duken se përjetojnë përmes qenies së tyre ngadhënjimin mbi vdekjen. Edhe këtu personazhet janë të veshura me kostume tradicionale shqiptare. Në vitet '70 për shkak të një alergjie nga boja e vajit, kalon në punimet në tempera. Ngjyrat e kthjelltë dhe të ndriçuara bëhen gjithnjë e më të pranishme. Një numër i madh galerish dhe hapësirash ekspozuese mirëpresin punimet e tij. Ekspozimet më të shumta e të përsëritura ndodhin kryesisht në Romë, Firence, por tablotë e tij do të ekspozohen edhe në Vatican, Palermo, Modena, Breshia e Nju Jork. Ndërsa në Gjermani do të ketë disa ekspozita rradhazi. Radio Televizioni publik italian i kushton më 1979 një dokumentar-intervistë me regji të Gjon Kolgjinit. Ndër veprat e spikatura të kësaj periudhe janë edhe tablotë Rita, Vajzë me kitarë, Lavdi e agustinianëve, Mali Xhiano, Don Karlo, Sekreti i tmerrshëm, Heronjtë, Tri Maritë, Samaritania. Në maj të vitit 1981 Lin Delija takohet me Nënë Terezën dhe realizon një seri pikturash e vizatimesh me imazhin e saj. Ndërkaq themelon në Antodoko, Vila Mentuëia, “Akademinë e Lirë të Arteve të Bukura – Carlo Cesi”. Të kësaj periudhe janë edhe tablotë e mirënjohura Vallja shqiptare dhe Nudo e shtrirë. Ndonëse gjatë gjysmës së dytë të viteve ’80 do të shfaqen edhe shqetësimet e para shëndetësore, ai vijon punën dhe ekspozimet e shumta. Të këtyre viteve janë tablotë: Grua në dritare, Liqeni i Shkodrës, Hyrja e Krishtit në Jeruzalem, Shkelësja e kurorës, Njeriu që sheh, Shën Çiçilja. Lin Delija rivjen në Shqipëri më 1992, ku shumë shpejt i vihet punës për të realizuar tablotë e mëdha për Katedralen e Shkodrës, disa prej të cilave mbetën të papërfunduara. Në dhjetor të vitit 1993 disa punime të tij u ekspozuan në mjediset e Ambasadës të Shqipërisë në Romë, me pas në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e më vonë në Muzeun e Artit të Shkodrës. Në pranverën e vitit 1994 ai goditet nga një iktus dhe ndërron jetë më 9 prill, në Romë, por “jeta” e tij artistike, ndonëse postume, shfaqet më e dendur se kurrë. Qëllimi fundor i artistit qe mbërritur, ashtu siç e kishte pohuar shpesh herë në gjallje të tij: “fare in modo che l’opera profumi di pittura”. E bashkë me veprën, padyshim, edhe jeta e tij. Në Antrodoko ekziston “Muzeu i qytetit Lin Delija-Carlo Cesi”, në të cilin gjenden të ekspozuara mbi 100 punë e ne 1999 botohet katalogu i parë antologjik me pikturat e tij më përfaqësuese.
Nderohet me urdhrin "Nderi i Kombit" piktori Lin Delija
Për të parën herë në historikun e Presidencës shqiptare arti i pikturës ka mbështjellë muret e sallës qendrore të nderimeve me emrin "Skënderbej" me 16 vepra artistike të piktorit shkodran të famshëm e të studiuar në Itali Lin Delija. Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi me Urdhrin "Nderi i Kombit" piktorin e shquar shqiptar, Lin Delija (pas vdekjes) me motivacionin: "Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve".
Shprehës gjenial të etnosit dhe shpirtit shqiptar e vlerësoi presidenti Topi piktorin që duket sikur po kthehet nga rrugëtimi i nisur më se gjashtë dekada më parë në kërkim të lirisë dhe të mundësisë së shprehjes të shpirtit të tij artistik. Të ftuar në Presidencë ishin personalitete të larta të artit dhe të kulturës në vend, kolegë, miq e të afërm të piktorit si i vëllai Ndokë Delia, Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D'Elia dhe nënkryebashkiaku i qytezës së Antrodokos Armando Nikoleti të cilët rrëfyen copëza nga jeta e Artistit të njësuar me vendlindje dhe komunitetin italian ku krijoi.
4 Qershor 2010