E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Topalli kërkon mbështetje nga Vatikanit

TIRANë- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkoi mbështetjen e Vatikanit për heqjen e vizave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian gjatë një takimi me Kardinalin Zenon Grocholevski, në mjediset Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë.
Burime për shtyp nga Kuvendi bënë të ditur sot, se Kardinali Zenon Grocholevski, një prej më të njohurve të Vatikanit e me peshë të rëndësishme përmes karrierës së tij të gjatë në fushat e legjislacionit dhe edukimit, shprehu kënaqësi për zhvillimin dhe transformimet e dukshme, në pak vite në Shqipëri.
Për kryeparlamentaren Topalli "mbështetja e Vatikanit gjatë gjithë këtyre viteve mbetet shumë e vyer për të gjithë shqiptarët. Zëri i Vatikanit ka qenë gjithnjë një zë mbështetës në çdo hap të zhvillimit të Shqipërisë".
Kryetarja e Kuvendit dhe Kardinali Grocholevski biseduan mbi vlerën e rrallë të shqiptarëve: bashkëjetesën fetare, të cilën znj. Topalli e konsideroi një model unik në Europë, dëshmi e një mendësie të hapur dhe vizioni perëndimor të shqiptarëve.

Edhe kardinali Grocholevski tha se kjo vlerë e jashtëzakonshme e shqiptarëve është një aset që duhet ruajtur e promovuar.

Kryetarja e Kuvendit tha se në këtë vit të 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe, shqiptares së admirueshme botërisht, Nënë Terezës, do të ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme ardhja e Papa Benediktit XVI, ftesë që i është përcjellë nga Kryeministri Berisha në Vatikan.
Duke u ndalur në personalitetin universal të Nënë Terezës, Kardinali Grocholevski tha se, Nënë Tereza, bamirësja me gjak shqiptar do të ishte një krenari për çdo komb.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›