Vizat false për Kanada, në gjyq ish-kreu i Pingpongut

Arben Sorra, ish-sekretar i Federatës së Pingpongut
Tiranë, Arben Sorra regjistroi klandestinët si sportistë në Federatë.
Ish-kreu i Federatës sportive të Pingpongut, Arben Sorra, dërgohet i pandehur në Gjykatë me tri akuza, për korrupsion, falsifikim dhe mashtrim më shumë se një herë. Dosja penale ndaj tij është dorëzuar në gjykatë nga njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës, e cila për më se gjashtë muaj ka kryer hetime në lidhje me një skemë të paligjshme të pajisjes me viza të qytetarëve të ndryshëm shqiptarë që ishin të interesuar për udhëtim në Kanada. Më 25 tetor 2011, Policia e Shtetit deklaroi arrestimin e shtetasve Arben Sorra, 52 vjeç, me detyrë sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Pingpongut dhe shtetasin Çlirim Sukaj, 34 vjeç, tregtar nga Shkodra. Disa ditë më vonë, në pranga ra edhe shtetasi Fotaq Koçi, i akuzuar se kishte bashkëpunuar në skemën e nxjerrjes jashtë Shqipërisë të personave me viza false. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ish-kreu i Federatës së Pingpongut së bashku me dy personat tjerë, kanë kryer veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim më shumë se një herë. Prokuroria thekson se sekretari i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Arben Sorra, së bashku me të dyshuarit Fotaq Koçi dhe Çlirim Sukajn kanë tentuar të dërgojnë në mënyrë klandestine në Kanada shtetas shqiptarë që kanë paguar shuma nga 5-6 mijë euro. Personat e interesuar mësohet se janë gjetur nga shtetasi Çlirim Sukaj, kryesisht në Shkodër dhe më pas ai i ka lidhur ata me Federatën e Pingpongut. Duke qenë se në muajin gusht 2011 në Kanada mbahej një kampionat ndërkombëtar i pingpongut, sekretari i Federatës, Arben Sorra, i ka regjistruar klandestinët sikur të ishin sportistë të Federatës dhe i ka çuar listat e tyre në Konsullatën Kanadeze në Romë për të marrë vizë. Gjithçka u zbulua pasi personat që kishin dhënë paratë mësuan se aplikimet e tyre për viza ishin anuluar. Ata bënë denoncim në polici dhe treguan skemën e korrupsionit.