Bashkia: Riparimi i 92 rrugëve, brenda afatit

Taulant Zeneli
Rreth 85% e rrugëve që po rehabilitohen nga Bashkia në Tiranë, kanë përfunduar. Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli, tha dje se punimet për riparimin e rrugëve do të mbyllen brenda muajit. Sipas tij, nga java tjetër do të vijojë puna për sistemimin e kapakëve të pusetave. Ai garantoi se Ndërmarrja Nr. 2 e Bashkisë së Tiranës do të mirëmbajë rrugët përgjatë gjithë vitit. Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë në sistemimin e rrugëve kryesore e dytësore, të cilat kishin nevojë për rehabilitim. Sot jemi në rrugën Hysni Bregolli, ku vijojnë punimet e Bashkisë së Tiranës për riparimin e rrugëve, riparime të cilave në varësi të gjendjes u është bërë ndërhyrja. Deri më sot janë bërë rreth 85 për qind e riparimit të këtyre rrugëve të vendosura që në fillimet e punimeve. Puna vijon për ti mbyllur sipas afatit të përcaktuar nga ana jonë. Gjithashtu është duke u punuar për mbylljen e pusetave aty ku janë problematike, sidomos në akset kryesore, dhe do të vijojë puna ditën e hënë me vendosjen e kapakëve të pusetave, tha Zeneli. Ai shtoi se puna nuk përfundon me kaq. Ndërmarrja Nr.2, siç e ka detyrën funksionale, do të vijojë me mirëmbajtjen e rrugëve përgjatë gjithë vitit, tha Zeneli. Ai shtoi se është ndërhyrë në Rrugën e Dibrës, në atë të Kavajës, në pjesë të Unazës, dhe në gjitha pjesët kryesore rrugore kanë pasur probleme me gropat, pusetat dhe me kanalet e ujërave të shiut. Gjatë këtyre ditëve ka përfunduar rikonstruksioni i 70 nga 92 segmente rrugore që po rehabilitohen në Tiranë. Në buxhetin e 2012-s, Bashkia ka planifikuar ndërtimin e 65 mijë metrave katrorë rrugë, nga të cilat 50% të reja. Është parashikuar rikonstruksioni i 153 mijë metrave katrorë të rrugëve ekzistuese, rikonstruksioni i afro 80 mijë metrave katrorë trotuare, si dhe ndërtimi i dy urave në qytet.