E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat false, largohet nga detyra shefi i Komisariatit të Rinasit

TIRANË- Pas skandalit të vizave në aeroportin e Rinasit, i cili konkludoi me shkarkimin e 7 oficerëve policie të gradave të ndryshme, të dyshuar se kanë favorizuar 11 raste të kalimit të paligjshëm të shtetasve kosovarë me viza falco drejt vendeve të zonës Shengen, largohet Gëzim Prebibaj, shefi i i Komisariatit të Rinasit.  Prebibaj, është transferuar shef i Komisariatit të Policisë së Kavajës, në postin e Agron Sulshabanit, i cili emërohet shef i Komisariatit numër 5 të Policisë në Kamëz. 

Arjan Kurti, zëvendësdrejtor për hetimin e krimit në Tiranë vetëm pas 2 muajve në këtë detyrë, rikthehet në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në postin e nëndrejtorit të hetimit të krimit në Tiranë, emërohet Gëzim Gjeçi, që mbante të njëjtin post në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.

Ndryshimet kanë përfshirë edhe komisariatet e Policisë së Tiranës. Ilir Gjoçi, lë detyrën e shefit të Komisariatit numër 5 të Policisë në Kamëz, për t’u emëruar shef i Komisariatit të Policisë në Rinas. Artan Hasani emërohet zëvendësdrejtor i Policisë për Qarkun e Elbasanit, ndërsa Rezart Velmishi, emërohet zëvendës drejtor për hetimin në Policinë e Shkodrës.

Ndryshime vijnë në një hark kohor brenda dy muajsh, pas ‘furtunës së shkarkimeve’ në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Vrasjet e dy femrave më 2 shkurt të këtij muaji, laborantes Eleni Basho, nëna e dy fëmijëve dhe Megi Jokiçi, 25-vjec, sollën furtunë shkarkimesh dhe ndryshimesh në postet më të larta të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. 

Mësohet se këto ndryshime bëhen në kuadër të përmiresimit të cilësisë së punes në luftën kundër krimit të organizuar.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›