E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet teli, 3 fshatra në bregdet në terr

Kabllot e vjedhur dje në Fier

FIER – Vjedhja e rreth 600 metrave kablloje elektrik i tensionit të lartë ka lënë pa energji më shumë se 8 mijë banorë të tri fshatrave në zonën e plazhit. Fshatrat Seman, Topojë dhe Sheq Marinas, që i përkasin komunës Topojë në Fier, janë pa drita që mbrëmjen e së dielës. Persona ende të paidentifikuar kanë këputur telin me përbërje bakri me qëllimin që ta shesin për skrap. Sipas banorëve, vjedhja ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes në vendin e quajtur Stanet, pranë masivit pyjor të pishave në bregdetin e Semanit. Duke përdorur mjete kundër rrymës elektrike, autorët kanë arritur të këpusin telat e bakrit në tri pjesë lidhëse mes shtyllave të tensionit të lartë. Sipas banorëve, kjo vjedhje është e përsëritur në zonën e tyre, pasi në harkun e disa muajve, telat elektrikë janë këputur katër herë. Biznesmenë të zonës thonë se mungesa e herëpashershme e energjisë u ka shkaktuar atyre dëme të konsiderueshme. Ata bëjnë apel për ndërhyrje dhe kapjen e autorëve, pasi tashmë janë në prag të sezonit të ri të plazhit, dhe mungesa e dritave do tu shkaktonte atyre dëme të konsiderueshme, deri edhe në braktisjen e zonës nga ana e turistëve, por edhe të plazhistëve ditorë. Kjo është hera e katërt që na vidhet teli i linjës elektrike. Kemi pasur dëme ekonomike të herëpashershme. Nuk e di cila do jetë zgjidhja, por ne duam energji, pasi e paguajnë atë në çdo muaj, u shpreh banorja Lule Metaj. Ndërkaq, kreu i komunës Topojë, Arben Voja, i kërkoi dje policisë ndihmë për ndalimin e këtij fenomeni. Sipas tij, dukuria që po përsëritet kaq shpesh, po godet gjithë konsumatorët e kësaj zone. Ai i kërkoi edhe kompanisë CEZ Shpërndarje rilidhjen e shpejtë të energjisë elektrike.
Është rast i përsëritur. Do kërkoja bashkëpunimin e CEZ-it dhe organeve të tjera kompetente për të hetuar në zonë. Nuk di nëse autori është banor i zonës, por kjo situatë paraqitet kaotike, u shpreh kreu i komunës Topojë.                            m.r

Totozani
Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili ndodhej dje në Fier për nënshkrimin e një marrëveshjeje me shoqërinë civile, vizitoi me praninë e kreut të Bashkisë dhe përfaqësuesve nga institucioni i tij dy lagje të Fierit. Ata u takuan me banorë të lagjeve Kastriot dhe 16 Prilli, të cilat kanë rreth 10 ditë pa energji dhe ujë. Edhe pse u çua një transformator, banorët thonë se ai nuk mundi ta përballojë ngarkesën dhe pësoi sërish defekt

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›