E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, shemben 15 metra mur brenda kalasë

Muri i shembur i kalasë së Lezhës

Rrezikut për shembje në kalanë e Lezhës si pasojë e segmentit rrugor që po ndërtohet drejt këtij aseti turistik, tashmë i është bashkuar edhe fakti real i shembjes së 15 metrave linear mure.
Rasti në fjalë është bërë publik dhe është pranuar edhe nga institucionet përkatëse për rrezikun që i kanoset këtij objekti historik, i cili rrezikon seriozisht edhe ekzistencën. Prej vitesh muret e kalasë së Lezhës kanë pësuar çarje të forta dhe ndërhyrjet janë bërë vetëm me vendosjen e disa elementeve mbajtës, por që nuk kanë mjaftuar për të mbajtur në këmbë këta mure qindravjeçare. Shembjet e mureve në kalanë e Lezhës janë evidente në pjesën veriore të saj, por në rrezik janë edhe mure në pjesën perëndimore, të cilat kanë dukshëm çarje të mëdha dhe rrezikojnë dita-ditës të rrëzohen. Megjithëse problemi ka qenë i njohur edhe më parë dhe ishte prezantuar një situatë problematike, e cila kërkonte ndërhyrje të menjëhershme, asnjë masë serioze nuk u ndërmor për mbrojtjen e kësaj trashëgimie historike, derisa ndodhi edhe shembja e murit të brendshëm. Nën zë pranohet se dëmi i shkaktuar është i pallogaritshëm, por drejtuesit e Monumenteve të Kulturës në Lezhë hezitojnë të japin një përgjigje si për vlerën e dëmit, ashtu edhe për pasojat që vinë nga këto dëmtime. Dy ditë më parë, përfaqësues nga Instituti i Monumenteve ishin në kalanë e Lezhës për të verifikuar dëmin e shkaktuar, por gjithçka u bë si në heshtje, ndërsa ende nuk dihet cili do të jetë fati i kësaj kalaje mesjetare, që ngrihet mbi themelet e antikitetit. Ajo që behët e ditur është fakti se e gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e sasisë së madhe të dherave të akumuluara pranë këtyre mureve. Në vazhdimësi ishte bërë i njohur problemi me të cilin përballej kalaja e Lezhës dhe muret e saj që mbajnë mbi vete mijëra vjet histori, por në asnjë rast nuk u ndërhy në mënyrë serioze dhe korrekte për të shmangur degradimin e situatës. Dëmet në kalanë që sheh drejt bregdetit të Adriatikut janë aq të mëdha, sa që riparimi i tyre kërkon vlera të konsiderueshme parash. Mbi këtë vlerë dhe mbi këtë resurs, Bashkia e qytetit e ka referuar strategjinë e saj drejt turizmit, një turizëm që nuk mund të kuptohet pa vendvarrimin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu e mbi të gjitha, kalanë e këtij qyteti. Për ti shërbyer këtij turizmi, qeveria Shqiptare shpenzoi miliona lekë për ndërtimin e rrugës së kalasë, e cila do të ndihmonte promovimin e këtij aseti historik, që qëndronte si relike mbi kodrën sipër qytetit të Lezhës. Kalaja e Lezhës tashmë është e vendosur mbi një masiv dheu që lëviz çdo ditë duke rrezikuar historinë e këtij qyteti.

Kryebashkiaku: Sa më parë me koncesion

Kreu i Bashkisë, Viktor Tusha

Kreu i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, është shprehur se ky objekt historik është pjesë e Parkut Arkeologjik Kombëtar dhe si i tillë duhej të kishte pasur një vëmendje më të madhe nga Ministria e Kulturës. Kjo Ministri, sipas tij, duhej të kishte përshpejtuar procedurat për lidhjen e kontratës koncesionare, me qëllim që të ndërhyhej. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se rruga e kalasë ka rritur numrin e vizitorëve, të cilët shpeshherë janë edhe të pakujdesshëm dhe duke u vendosur mbi këto mure provokojnë rrëzimin e gurëve që nuk janë vendosur mirë apo që nuk janë rikonstruktuar. Kryebashkiaku thotë se mënyra e zgjidhjes është përshpejtimi i dhënies me koncesion. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohet rehabilitimi i kalasë dhe kujdesi do të jetë maksimal për këtë vepër monumentale historike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›