E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat greke, si t'i fitoni me lehte

EKSKLUZIVE Konsullja e ambasades greke ne Tirane, Evangjeli Kalaixhi, ne nje interviste per "Koha Jone", tregon sherbimet e reja per qytetaret shqiptare. Ndalet ne dukurine e radheve te gjata dhe jep orientime per te pasur sa me shume lehtesi ne pajisjen me viza

Zbatimi i disa kritereve, qe vijne ne menyre te drejtperdrejte nga marreveshja "Shengen", u ofron shanse qytetareve qe te marrin viza ne afate te ndryshme kohore me lehte per ne Greqi dhe 26 vendet e tjera te Evropes. Konsullja e ambasades greke ne Tirane, Evangjeli Kalaixhi, ne nje interviste per "Koha Jone", tregon si po funksionon marreveshja e lehtesimit te vizave dhe ndalet ne dukurine e radheve te gjata, duke dhene shpjegimet per to. Flet edhe per falsifikimet, me te cilat ndeshen shpesh dhe evidenton pasojat ne te tilla raste
Znj. konsulle, qe nga fillimi i ketij viti, ka hyre ne fuqi marreveshja per lehtesimin e vizave. Sa ka gjetur zbatim ajo ne konsullaten e ambasades greke ne Tirane?
Qe te jemi realiste, lehtesimi i vizave ka nisur jo ne janarin qe shkoi, por disa muaj me pare, ketu ne konsullaten tone.
Qytetaret ankohen shpesh se perballen me kohe te gjate pritjeje per aplikim dhe ore te tejzgjatura e radhe ne konsullate ne pritje per intervistim e dorezim dokumentacioni. Ju jeni te vetedijshem se situata eshte e tille dhe a keni ne plan ta ndryshoni ate, nese e konsideroni jo te volitshme?
Me duhet te pranoj se konsullata greke perballet sikunder qytetaret aplikues, me ore te gjata pune cdo dite, madje dhe te shtunen. Perse ndodh kjo, mund te pyesin qytetaret dhe mund te bejne krahasimin me ambasada te vendeve te tjera te Evropes ketu rrotull konsullates sone. Fakti eshte me se i qarte. Ketu, cdo dite, vijne 200 deri 600 qytetare, te cilet aplikojne per t'u pajisur me viza. Dhe nuk po llogarisim dhe qindra te tjere, qe vijne per legalizim dokumentesh. Po t'i referohemi vitit qe u ndame, ishin plot 40 mije qytetare qe kerkuan te pajisen me viza. Kjo eshte nje shifer me shume se e larte. Nese shihni konsullatat e vendeve te tjera, ato nuk kane me shume se 20 persona apo dicka me shume, ne radhe pritjeje ditore.
Ne kete kuader, per pjesen tjeter te pyetjes tuaj, me duhet t'ju tregoj se, ne fakt, ka perpjekje serioze te konsullates per te permiresuar situaten. Ne kemi tani 18 muaj qe kemi krijuar nje ambient te ri pritjeje te mbyllur dhe me kushte normale per qytetaret qe aplikojne per viza. Kemi vendosur nje linje telefonike, qe ne menyren me transparente, mban vete radhen e aplikuesve. Kjo pasi cdo qytetar merr nje numer automatik nga kompjuteri dhe ne kete menyre ai e ka te qarte kohen qe duhet te prese. Nese ai rezulton per shembull ne oren 08:00 me numrin 4, brenda pak minutash perfundon aplikimin. Por, nese eshte numri 90, kjo kohe rritet se tepermi. Dhe kjo vjen pikerisht nga fluksi shume i madh i aplikimeve. Nga ana tjeter, ne, se fundi, kemi hedhur dhe nje sherbim te ri, qe nisi me 4 shkurt. Aplikuesit nuk kane pse te rikthehen ne konsullate ne radhe pritjeje, pasi dokumentacionin e marrin me poste.
A ka funksionuar ky sherbim i ri dhe si eshte pritur nga aplikuesit?
Konstatojme se eshte pritur mire. Dua t'ju bej nje ilustrim. Une kam pare nga afer dhe kam konstatuar se shume qytetare vijne, fjala vjen nga Kukesi, dhe qendrojne kater dite ne Tirane. Ketu duhet te saktesoj dhe dicka. Normat e dhenies se vizave "Shengen" jane me afat 10-ditor te pergjigjes, kurse ne e kemi reduktuar ne vetem 72 ore. Keshtu, qytetari jashte Tirane, duhet te priste kater dite per te marre vizen apo pergjigjen e aplikimit. Une jam e qarte se kjo ka nje kosto te larte, shpenzime qendrimi, fjetjeje, ngrenie dhe lodhje. Per kete, arritem te nxjerrim sherbimin e dergimit me poste te vizes, pergjigjes se aplikimit apo dokumenteve qe kerkohen te legalizohen. Ne kete menyre, tani e tutje, aplikuesi vjen vetem nje here ne konsullate, dorezon dokumentet dhe eviton problemet e pritjes disaditore.
Sakaq, edhe me mire eshte pritur ky sherbim, nga qytetaret qe jetojne ne Greqi. Per te legalizuar dokumentet e tyre, ata vijne posacerisht dhe tani e tutje nuk jane te detyruar te presin ne radhe. Ata e marrin dokumentin direkt me poste ne vendbanimin e tyre ne Greqi.
A keni ne plan te shtoni sportelet e sherbimit ne konsullate?
Fluksi i madh i punes qe perballojme, vertet qe sjell nevojen e shtimit te sporteleve. Kjo eshte nje kompetence jashte meje, por presim qe te kete ndryshime ne kete drejtim.
Ju keni dhe nje fluks kerkesash per punesim sezonal. A ka perpjekje per te lehtesuar sherbimet ndaj tyre?
Fluksi eshte i perditshem, por ne sezone dhe me i larte. Keshtu, ne fund te muajit qe jemi, nis nje fluks nga 400 deri ne 600 persona ne dite, qe vijne per te aplikuar per vize pune. Kemi menduar per te permiresuar sherbimin ndaj tyre. Per kete, ne nxjerrim keto dite ne funksionim, nje numer te posacem telefonik. Duke derguar nje SMS, ne numrin 1514 nga cdo celular ne Shqiperi, me kosto 50 leke, te interesuarit marrin pergjigje te menjehershme per daten dhe oren e paraqitjes, si dhe te dhenat e tjera te aplikimit per punesim sezonal.
Rikthehemi te vizat qe leshoni per qytetaret shqiptare. Biznesi eshte nje kategori qe ka edhe me shume nevoje levizjeje. A jane "te privilegjuar" ata?
Them se po. Me konkretisht. Rregullorja percakton se per te fituar vizen, nje subjekt biznesi duhet te jete anetar dhome tregtie. Ketu lind nje problem. Shume biznese nuk jane ne volum aq te madh sa te jene detyrimisht anetare te ketyre organizmave. Ne jemi te vetedijshem se ka biznese te vogla qe bashkepunojne me Greqine dhe kane nevoje te levizin. Ne kete kuptim, ne nuk pengojme dhenien e vizave per ta.
Ju thate se perballuat gjate vitit te kaluar 40 mije aplikime per viza. Sa prej tyre u pajisen me to?
Ne pajisim aplikuesit sipas kerkeses se shkruar ne formularin qe plotesojne, viza greke dhe "Shengen". Nder 40 mije aplikime, 18 mije kane qene per viza "Shengen" dhe 11 mije prej tyre i kane marre ato. Pjesa tjeter, kane aplikuar per viza greke dhe nder ta, jane pajisur 17500 persona.
Disa qytetare pohojne se ne baze te rrethanave kane nevoje per viza urgjente. A i ndihmoni ju ata?
Kjo eshte nje ceshtje e mprehte. Ne, sigurisht, japim viza per raste urgjente, qe ne fakt krijojne dhe shtim te kohes se pritjes per aplikuesit qe kane prenotuar me telefon. Por fatkeqesisht perballemi jo pak here me abuzime ne kete drejtim. Mund t'ju ilustroj nje rast te muajit te kaluar, kur nje nene vjen e alarmuar, duke thene se djali i saj ishte shume semure dhe se po vdiste, ndaj duhej patjeter te pajisej me vize qe te kurohej ne Greqi. Ne i kerkuam pasaporten e te birit, jashte radhe, si dhe konform rregullave, raportin e mjekeve per diagnozen. Me keqardhje konstatuam se dokumenti ishte i falsifikuar.
Mund t'ju permend dhe nje rast tjeter. Nje burre i moshuar u paraqit te premten e 22 dhjetorit ne prag te Krishtlindjeve kur te gjitha konsullatat ishin mbyllur dhe kerkoi pajisjen me vize, per shkak se duhet te kurohej urgjent ne Greqi. Ne fakt, ai vuante nga prostati dhe gjendja e tij ishte e rende. Bera te gjithe dokumentacionin gati dhe, sipas rregullave rutine, identiteti iu dergua zyrtareve qe inspektojne respektimin e "Shengen". Me shume trishtim mesova se ai nuk mund te pajisej me vize, pasi kishte shkelur rregullat e "Shengen". Nga familja e te semurit, mesova se djemte e kishin terhequr vitet e kaluara ne Greqi pa dokumente dhe pasi ishte pikasur nga autoritetet atje, ishte listuar te personat qe kane shkelur rregullat e hyrjes ne Greqi.
Ne kete pike, me duhet te keshilloj qytetaret te bejne shume kujdes. Per asnje motiv, mos shkelni rregullat e pajisjes me vize. Nese qytetari merr nje vize dhe shkel kohezgjatjen e saj qofte dhe disa dite, mund te kapet nga policia e te debohet, apo te gjobitet ne kufi deri ne 1200 euro, si dhe humb te drejten per te levizur lirisht ne te gjitha vendet e BE-se. Kjo eshte e rende dhe shkaterruese per nje qytetar. Ndaj duhet te jene te kujdesshem.
Zyra e shtypit, dyer te hapura per gazetaret
Zyra e shtypit dhe komunikimit ne ambasaden e Greqise ne Tirane, organizoi dje nje takim me gazetaret e mediave shqiptare. Drejtori i zyres se shtypit e komunikimit, Hristos Apostolopulos, tha per "Koha Jone", se risia erdhi me qellim qe shtypi te shohe nga afer mjediset e konsullates. "Kjo eshte nje perpjekje dhe qe gazetaret te njohin drejtperdrejt dhe te informohen me kompetence per te gjitha ceshtjet qe kane te bejne me funksionimin e zyres konsullore", pohoi zyrtari i ambasades.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›