Vizat, nesër Barro dhe Rehn publikojnë rekomandimin
Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Xhak Barro, dhe komisioneri europian për zgjerimin, Olli Rehn, do të mbajnë më datën 15 korrik një konferencë të posaçme për shtypin në kuadër të propozimit për liberalizimin e vizave për tri vende të Ballkanit Perëndimor. Komunikimi me median, sipas njoftimit zyrtar, do të bëhet në orën 11.30. Vetëm pak ditë më parë u deklarua se Shqipëria dhe Bosnja mund të përfitojnë nga liberalizimi i regjimit të vizave në fund të vitit 2010. Këtë e bëri të ditur pikërisht zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Zhak Barrot. Ndërkohë, Komisioni Europian do të propozojë lejimin e qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë të udhëtojnë në bllok pa viza, duke nisur që nga viti i ardhshëm. Sipas zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, një propozim i tillë do të bëhet të martën e ardhshme në Strasburg, për të liberalizuar vizat për vendet e Ballkanit Perëndimor. Mbështetur në këtë propozim, regjimi i ri i vizave do të nisë më 1 janar. Propozimi duhet të formalizohet me miratimin e ministrave të drejtësisë së 27 vendeve anëtare të Bashkimin Europian. Barrot tha se vendet e para që do të përfitojnë do të jenë Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja duhet të presin deri në fundin e vitit 2010, pasi ato duhet të plotësojnë disa kërkesa. Konkretisht, në dokumentin që përgatiti Komisioni Europian për Shqipërinë, pas fazës monitoruese konstatohej se vendi ynë nuk e kalonte klasën për sa u takon reformave.