PBDNJ replikon me Miçon: Ai flet në emër të PD-së
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka kundërshtuar deklaratën e bërë një ditë më parë nga Thoma Miço, i cili ka deklaruar se votat e minoritetit grek nuk i adresohen Vangjel Dules, por kandidatit të "Omonia"-s. PBDNJ-ja, nëpërmjet zyrës së shtypit, i ka kundërshtuar këto deklarata, duke i cilësuar si spekulime. Në deklaratën zyrtare të PBDNJ-së thuhet se "Thoma Miço nuk mund të flasë më si përfaqësues i PBDNJ-së, pasi aktualisht me vendimin e strukturave përkatëse të partisë sonë nuk është më, jo vetëm nënkryetar, por as anëtar i thjeshtë i saj". Për PBDNJ-në, që prej 28 qershorit 2009 zoti Miço përfaqëson denjësisht idealet dhe udhëzimet e Partisë Demokratike. "Thoma Miço, veç të tjerash, përmend se minoriteti etnik grek ka shkuar i përçarë në zgjedhjet e fundit, por nuk ka moral që eksponentë të cilët u përpoqën pa sukses të përçajnë këtë minoritet të flasin në emër të tij", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PBDNJ-së. Sipas kësaj force politike, "minoriteti etnik grek, i cili prej vitesh përfaqësohet denjësisht nga ‘Omonia‘ dhe PBDNJ-ja, përmes strukturave drejtuese në fuqi, ka marrë dhe merr vendimet e duhura në kohën e duhur". Një ditë më parë, ishte Miço ai që konstatonte se votat e marra në Qarkun e Vlorës nga PBDNJ-ja nuk kanë shkuar për Dulen, por për "Omonia"-n. Arsye kjo që, sipas tij, është e mjaftueshme për të kërkuar heqjen dorë nga mandati të Vangjel Dules, kreut të PBDNJ-së.