Vizatimet e Da Vinçit, rihapen debatet
Zbulimi i tre vizatimeve, të panjohura më parë, pas një pikture të Leonardo da Vinci pritet të hapë një debat të ri, ku në qendër do të jetë puna e mjeshtrit të madh Italian. Bëhet fjalë për tre vizatime të zbuluara pas pikturës së quajtur "The Virgin and Child with Saint Anne", ekzistenca e tyre pas tablosë nuk dihej më parë. Vizatimet të cilat besohet se janë realizuar nga vetë mjeshtri i madh, u zbuluan në mënyrë rastësore gjatë një kontrolli të pikturave të cilat do t'i nënshtrohen një restaurimi. Vizatimet,një kokë kali dhe një gjysmë kafke u zbuluan nga një përgjegjës i Muzeut të Luvrit gjatë heqjes së pikturës e cila do restaurohej. Menjëherë ajo I është nënshtruar një analize të detajuar, dhe me anë të një kamere me rreze infra të kuqe, u saktësua se vizatimet ishin tre, dhe jo dy sicc ishte konstatuar më parë me sy të lirë. Sipas përgjegjësve të Muzeut në vizatimin e tretë tregohet Fëmija Jezus duke luajtur me qengj. "The Virgin and Child with Saint Anne" është pikturuar në vitet e parë të 1500 dhe askush më parë nuk kishte njohuri, se pas saj gjendeshin vizatimet, në fjalë, ose të paktën, përgjegjësit e Muzeut të Luvrit nuk kishin dinjeni për një gjë të tillë.
"Ky është një zbulim i jashtëzakonshëm sepse vizatimet pas pikturave janë një gjë shumë e rrallë, dhe nuk kishte shembuj se këtë e kishte bërë edhe Leonardo", bënë të ditur autoritetet e Louvrit. Sipas specialistëve, stili i vizatimit përputhet me atë të mjeshtrit Italian, por për tu siguruar për këtë piktura do tu nënshtrohet disa ekzaminimeve. Zbulimi pritet t'i japë një hov të ri debatit mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të autorit të Best-sellerit, "Kodi i DaVinçit". Zbulimi i tre vizatimeve pas pikturës, pajis me fakte të gjithë ata që besojnë se Da Vinçi ka përdorur veprat e tij për të na 'trashëguar" kode dhe simbole fetare.