E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe deficiti ka shumë rëndësi!

Është çudi kjo historia shqiptare, paralelet e saja politike e qeverisëse! Kur, dikur, kishim si problem ushqimin normal të popullsisë, ne krenoheshim me "çmime botërore", pikërisht po për këtë ushqim (apo më saktë mungesë ushqimi!).


Po kështu, sot, kur e gjithë bota po vuan gati në mënyrë tragjike krizën ekonomike botërore ne vazhdojmë të luajmë publikisht me "teoritë" tona, pse jo dhe me modelin shqiptar të antikrizës. Që në thelb është po i "laisser-faire"-it.


Ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka filluar ta ndjejë këtë shqetësim, si "hall" e përgjegjësi, INSTAT-i "apolitik" ka filluar tani vallen e vet të radhës, sidomos pas sigurimit të mbijetesës politike.


Bile, sipas këtij institucioni, rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2009 vlerësohet 6%! Sipas të dhënave të INSTAT-it, aktiviteti
bujqësor, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, është rritur me 3.5%, industria ka pësuar rënie prej 13.2%, sektori i ndërtimit u rrit me 8%, tregtia pësoi një rritje me 0.9%, aktiviteti i transportit me 3.3%, postë-telekomunikacioni me 22%, po ashtu dhe dega e shërbimeve pati një rritje prej 15.3%....


Pas këtyre shifrave dhe vlerësimit të rritjes ekonomike prej 6%, natyrisht, gjellën e ka servirur dhe vazhdon ta servirë si gjithmonë vetë porositësi. Kjo, si për "entuziazmin" karakteristik, ashtu dhe "për t'i dalë punës përpara"! Qoftë kjo dhe gati 6 muaj apo një vit më vonë! Pak a shumë, si dikur, historia e sotme është se ekonomia shqiptare u rezistoi pasojave të krizës ekonomike botërore dhe 3-mujori i parë, bile dhe më i vështiri i vitit, shënoi pra një rritje ekonomike prej 6%, gati të paimagjinueshme për të tjerët. Këtë tha


INSTAT-i, këtë tha dhe kryeministri në qeveri. Bile, sipas tij, në tremujorët e ardhshëm rezultatet do të jenë edhe më optimiste. I dyti, sipas tij, ka "fuqinë e pranverës", kurse i treti atë të verës, të "turizmit". Aq e vërtetë është kjo parapritje sa ai dhe deklaron: "nuk mund të them sa do të jetë rritja, pasi nuk mund ta paragjykoj dhe do të varet shumë nga kriza botërore e tremujorit të fundit, i cili ka peshën e vet". Dhe aty qëndron edhe "lapsusi"!


Në tremujorin e vështirë deklarojmë rritjen ekonomike prej 6%, por ama kur të konsiderojmë tremujorët e tjerë, ekonomikisht më të favorshëm, kemi "gojë" të frenojmë "gojët" e liga ndërkombëtare për shifrat e ulëta të rritjes ekonomike, apo dhe të rënies së saj...

Po të shohësh me kujdes se ç'ka ndodhur me ekonominë shqiptare kohët e fundit, vihet re, se në qeverisjen shqiptare, ka mbizotëruar me dashje apo padashje, një konceptim i mishëruar në sloganin e ngjashëm me atë republikan, sipas të cilit deficiti nuk ka rëndësi.


Në fakt, për 30 vjet, republikanët kanë emetuar kudo besimin se reduktimi i taksave e lëviz ekonominë dhe gjeneron më shumë të ardhura. "Deficiti nuk ka rëndësi", ky ka qenë, p.sh., slogani i Dik Çenit në presidencën Bush.


Pra, sipas kësaj pikëpamjeje, reduktimi i taksave për të ardhurat i inkurajon njerëzit të punojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë të mira, mallra dhe shërbime, duke nxitur lulëzimin ekonomik, rritjen ekonomike, përfshirë dhe rritjen e vetë të ardhurave tatimore.


Po ashtu, dhe presidenti Obama po adopton argumentet e dikurshme të republikanëve, veçse duke zëvendësuar shpenzimet me reduktimin e taksave. E thënë ndryshe, ky është njëversion demokratik i "Reganomikës", i mishëruar edhe në buxhetin e Obamës prej 3.5 trilion dollarësh. Sidomos i lidhur ky me rritjen e shpenzimeve qeveritare për edukimin, kujdesin shëndetësor dhe energjinë.



Në fakt, nga Regani te Bushi, të gjitha zvogëlimet e taksave janë shoqëruar nga deficite të mëdha. Po skema e Obamës!? Demokratët janë tallur me republikanët me teprimin e tyre "ideologjik" apo, më saktë, me kalimin në një tip "teologjie" apo ortodoksie antitaksë.


Po të flasësh në mënyrë të përmbledhur, Obama propozon reduktime taksash paralelisht me shpenzime të reja, ndërsa republikanët rrisnin pa pushim shpenzimet paralelisht me reduktimin e taksave. Po në të dyja rastet paraja nuk është aty! Natyrisht, ashtu si dhe në fund të viteve 80-të, rritja e deficitit imponon një tërheqje nga politikat fillestare, rritjen e taksave dhe "përdredhje" të reformave pjesore fiskale.


Problemi me rastin e Obamës për shpenzimet, po ashtu si shkurtimi i taksave nga republikanët, është se përfitimet apo "beneficet" në kohëgjatësi të politikës nuk mund të veçohen nga çështjet se si këto veprime përshtaten me tablonë fiskale të përgjithshme.


Në këtë kuptim, llojet e investimeve që duhet janë ato që lidhen me produktivitetin, pra që "prodhojnë" e gjenerojnë të ardhura tatimore. Pikërisht, ky duket të jetë, me sa duket, dhe thelbi


aktual i problemit, ndryshe nga perceptimi fillestar, sipas të cilit investimet e mëdha infrastrukturore i shërbenin zbutjes së krizës ekonomike, apo do të luanin një rol parësor në kapërcimin e saj...


Në fakt, në këto ujëra ka notuar dy vitet e fundit dhe qeveria shqiptare me tezën e "një deficiti që nuk ka rëndësi". Madje, shenjat e deritanishme tregojnë se ajo dëshiron të vazhdojë të notojë në po këto ujëra edhe në të ardhmen e afërt.


Por, pikërisht, kjo duhet
rivlerësuar me shpejtësi nga qeveria pas zgjedhjeve! Bile, duke e ulur me shpejtësi këtë deficit. Në radhë të parë, edhe për të mbrojtur vetë stabilitetin e ekonomisë shqiptare, treguesit mikroskopikë të saj, pavarësisht çfarë deklarohet e "llogaritet" nga institucione të pretenduara të pavarura, që, mbi të gjitha, jo vetëm janë të paafta, por dhe tepër të varura e tërësisht servile...

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›