E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI, koalicion edhe në Këshillin Bashkiak

TIRANË- Në sallën ku zgjidhin hallet e kryeqytetasve por edhe për hir të së vërtetës janë sherrosur për muaj të tërë, prag mbledhja e djeshme e Këshillit bashkiak, ishte e mbushur plot idil. Këshilltarët bashkiakë demokratë, gjetën rastin të shkëmbenin puthje dhe përqafime të ngrohta, si dhe t'i shtrëngonin duart kolegëve të tyre, që në shtator do të shkëmbejnë vendin e këshilltarit bashkiak me atë të deputetit në parlament. Përqafimet, të djathët nuk i kursyen edhe për kolegët me të cilët deri para pak kohësh ndanin pikpamje të kundërt politike. Ferdinand Pone, kryetar i grupit të djathtë, larg syve të medias, gjeti mundësinë pak minuta para se të fillonte mbledhja, të takonte kryetaren e këshilltarëve bashkiakë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Takim i cili u zhvillua pas kuintave dha frytet e veta edhe në mbledhje, ku palët patën konsensus pothuajse të plotë. Por muzika e ëmbël e prag mbledhjes nuk ishte e thënë të vazhdonte shumë gjatë. Menjëherë sapo ajo filloi, jashtë çdo kompetence që mbulon këshilli Bashkiak, grupi i djathtë mbajti një deklaratë për zgjedhjet e fundit parlamentare. Ferdinand Pone, kreu i këshilltarëve demokratë ngriti në piedestal kreun e PD-së, Sali Berisha, duke e cilësuar si triumfatorin e zgjedhjeve ndërkohë që cilësoi kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, si kalorës të vrerosur i cili duhet të jepte mënjëherë dorëheqjen nga kreu i Partisë. Nuk ngelën pa reaguar edhe këshilltarët e majtë. Besnik Bare, kreu i këtij grupi i kujtoi Z. Pone, se bënte mirë të mos merrej me punët e Partisë Socialiste pasi kishte kush t'i zgjidhte ato. Ai tha se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk i përmbushën standardet e kërkuara, dhe për këtë fajtor është vetëm një person i cili quhet Sali Berisha. "Nuk e do besoja që banaliteti të zbriste deri në Këshillin Bashkiak. Ato që Z.Pone tha nuk janë aspak të vërteta. Në këto zgjedhje ka pasur deformime të jashtëzakonshme. Kanë votuar emigrantë që nuk kanë qenë në Shqipëri në momentin e votimeve, ka pasur dublime të votuesve, po kështu kryeministri Berisha përdori administratën në zgjedhje", tha Bare, duke u kujtuar këshilltarëve të djathtë se ndryshe nga ç'mendojnë nuk janë fitues.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›