Vizioni i munguar i një fushate
Sot votohet në Maqedoninë fqinje. Pak ditë më parë në dy intervista të gjata për mediat, dy kryetarët e partive kryesore shqiptare në Maqedoni, parashtruan qëndrimet e tyre elektorale, bindjet politike, platformat e partisë dhe filozofinë që i udhëhiqte në politikëbërje. Në thelb përfaqësojnë një elektorat dhe që ndajnë pak a shumë programe të njëjta.
Siç e kanë përcjellë gjerësisht mediat, fushata për zgjedhjet e parakohshme të 1 qershorit është shoqëruar me eksese që shpesh kanë degjeneruar duke tronditur rëndë si besimin e zgjedhësve, ashtu edhe imazhin e shqiptarëve në përgjithësi, duke përforcuar akuzat alla-koshtuniciane se shqiptarët janë të paaftë të vetë-qeverisen etj. Kulmi i parodisë arrin kur politikanët maqedonas, ndërhyjnë për të bërë arbitrin mes shqiptarëve, por natyrisht duke u nxjerrë dhe ‘gjuhën’ përpara ndërkombëtarëve.
Sjelljet infantile politike që i lejojmë vetes shpesh ne shqiptarët thjesht përforcojnë një imazh tonin negativ si grindavecë, të paaftë për konsensus, nepotikë dhe të korruptuar, ndërkohë që çojnë ujë në mullinj të tjerë që përfitojnë nga ndasitë e tyre për të kapitalizuar politikisht.
Po aq me konsekuencë është edhe tronditja e besimit të zgjedhësve shqiptarë të cilëve nuk ka pse t`u mohohet alternativa e programeve, mënyrave të qeverisjes dhe ofrimi i shërbimeve të cilat nuk duhet të bien më poshtë nga ai që u ofrohet bashkëqytetarëve të tyre sllavë në një shtet multi-etnik. Po aq e rëndësishme është që Tirana zyrtare të tregohet një aktor stabiliteti i dorës së parë dhe mos të fshihet pas apatisë apo dëshirës për të bërë aleanca fluide që gjenerojnë interesa të ngushta nga të cilët nuk përfiton askush.
Nëse i referohemi një shkrimi të studjuesit të njohur kosovar Isa Blumi, aktualisht profesor i shkencave politike në SHBA në një artikull të vitit 2001 të titulluar: “The Question of Identity, Diplomacy and Albanians in Macedonia...” [Çështja e identitetit, diplomacisë dhe shqiptarët në Maqedoni...], ku vë theksin te izolimi i konflikit ndëretnik maqedonas dhe efektet e shtrirjes së tij brenda suazës së shtetit maqedonas dhe mospërdorimit politik të tij për të tërhequr në vorbullën e gjeopolitikës së turbulluar aluzione se shteti shqiptar po ndihet në tensionet e vendit fqinjë, do vëmë re disa paralele interesante.
Përkundër tezave shpesh armiqësore që janë munduar ta pozicionojnë Tiranën zyrtare si aktore aktive e dorës së parë në një lëvizje gjoja destabilizuese për vendet fqinje, krejt e kundërta ka ndodhur, ku qeveritë e njëpasnjëshme të Tiranës ose janë treguar indiferente ndaj zhvillimeve të ‘nxehta’ në Maqedoni, ose kanë favorizuar dhe partnerizuar një palë në kurriz të tjetrës duke i ndihur në mënyrë të pavetëdijshme përçarjes, në vend të masave energjetike që do ndihmonin në kohezionin dhe ecjen drejt vizionit të përbashkët të faktori shqiptar. Në një situatë sërish delikate, si ajo e 2001-shit, ku Tiranës i jepet sërish shansi të tregojë maturinë e saj politike dhe të tregohet më aktive në qetësimin e ujrave dhe nxitjen e kohezionit mes faktorit shqiptar në Maqedoni, çka i shërben vizionit të përbashkët, mendojmë së ajo nuk duhet ta humbasë sërish shansin për të provuar se mund të jetë edhe aktor aktiv, përveçse faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.