Taksa mbi pagën, dyfishohen të ardhurat në buxhet
Tatimi mbi të ardhurat personale në 4 muaj realizohet 177.4%, ndërsa tatimi mbi fitimin 150.6%
Katër muajt e parë të vitit 2008 kanë shënuar edhe rekordin historik për sa i përket rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi pagën. Referuar Ministrisë së Financave rritja është rekord, duke shënuar një shifër prej 177.4 për qind. Me të tilla ritme në buxhet gjatë vitit 2008 do të mblidhen dyfishi i të ardhurave nga taksat mbi pagën, krahasuar me vitin 2007. Sipas specialistëve rritja në këto nivele të të ardhurave nga tatimi mbi pagën u favorizuar nga të ashtuquajturat paga të referencës, që janë kundërshtuar ashpër nga sipërmarrja. Njëkohësisht nivelizimi në 10 për qind i tatimit mbi të ardhurat personale rriti ndjeshëm taksat për pagat e ulëta, të cilat përbëjnë edhe shtresën dërrmuese të pagave në vend. Pas vendosjes së pagës së referencës që prej pjesës së dytë të vitit 2007 dhe të taksës së sheshtë 10 për qind, një pjesë e mirë e pagave në vend pësuan një rënie të ndjeshme. Edhe pagat e sektorit shtetëror janë tashmë të reduktuara me rritjen e premtuar nga ana e qeverisë gjatë një viti.
Tatimi mbi fitimin, rritja 150%
Pavarësisht se që prej 1 janarit të këtij viti tatimi mbi fitimin u përgjysmua nga 20 për qind në 10 për qind, Ministria e Financave bën të ditur se ka arritur që të realizojë me 150 për qind planin. Gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti tatimet kanë arritur që të mbledhin 7.3 miliardë lekë nga tatimi mbi Fitimin në parapagim, nga 4.8 miliardë lekë që ka qenë plani për tatimin mbi fitimin gjatë kësaj periudhe. Ministria e Financave e ka vlerësuar rritjen si pasojë e uljes së informalitetit dhe të rritjes së vetëdeklarimit. Ndërsa nga ana e biznesit është vlerësuar se rritja ka ardhur për shkak të masave represive të marra nga ana e administratës tatimore.