E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kafeja, zhdoganimet bien me 148 ton

 

Financat: Të ardhurat nga akcizat janë 16.4 milionë dollarë më pak se plani

Ministria e Financave në publikimin e të dhënave të saj për 4-mujorin e parë bën të ditur se nga të ardhurat nga akcizat mungojnë rreth 16.4 milionë dollarë. Plani i vendosur nga ana e Ministrisë së Financave në buxhetin e këtij viti është realizuar vetëm 87.6 për qind për të ardhurat nga akcizat, duke qenë treguesi i vetëm në të ardhura që ka një realizim kaq të ulët. Kontrabanda me mallrat e akcizës është një nga fenomenet më të pranishme në tregun vendas. Më i prekshëm ky fenomen është tek cigaret të cilat kontrabandë mund t’i gjesh në çdo njësi të shitjes me pakicë, nëse je i interesuar t’i blesh. Madje për çudi, çmimet e shitjes së të njëjtës cigareje që është futur kontrabandë në vend janë më të larta se e njëjta markë që është me pullë fiskale, pasi nga ana e tregtarëve këto mallra vlerësohen si cilësorë.

Kafeja, mungojnë 148 ton

Sipas raportit të bërë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve gjatë 3 muajve të parë të vitit 2008 janë zhdoganuar 148 ton më pak kafe se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e Doganave, gjatë kësaj periudhe janë zhdoganuar 1848 ton kafe nga 1996 ton që ka qenë sasia e kafesë së zhdoganuar gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Kafeja e importuar më pak gjatë kësaj periudhe llogaritet me një rënie 7.4 për qind, krahasuar me vitin 2007.

Cigaret, përmirësohet situata

Pavarësisht se në treg një pjesë e madhe e cigareve janë kontrabandë, doganat raportojnë se për pjesën e 3-mujorit të parë të vitit 2007 kanë zhdoganuar një sasi prej 257 ton më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2007. Rritja në përqindje midis dy periudhave është 29 për qind. Por nga të dhënat që jep tregu i cigareve në vend, sërish një pjesë e madhe e tyre janë kontrabandë, duke vërtetuar faktin se këto produkte kalojnë traun e doganës pa paguar jo në pak raste.

Karburantet, importi bie me 194 ton

Edhe importi i karburanteve ka pësuar një rënie gjatë pjesës së parë të këtij viti. Rënia në sasi të importit të karburantit është me 194 ton, një sasi kjo në nivele jo shumë të larta krahasuar me një vit ma parë.

Humbja në të ardhurat nga akciza është vlerësuar nga ana e opozitës si kontrabandë e pastër dhe një fenomen tepër i rrezikshëm në prag të një viti elektoral. Me rritjen e fortë të çmimeve të karburanteve dhe të një pjese të çmimeve të mallrave të akcizës edhe të ardhurat në buxhet nga këto taksa kanë pësuar rritje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›