Vizita në Azerbajxhan Topalli shoqërohet nga socialisti Blushi
01/07/2010 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar dje takimet e para gjatë vizitës së saj në Azerbajxhan, ku nuk ka shkuar me deputetë të mazhorancës, por është shoqëruar nga njëri prej eksponentëve të Partisë Socialiste, i pozicionuar kundër Edi Ramës, Ben Blushi. Në fotot e publikuara nga Parlamenti rreth takimeve të Kryeparlamentares me drejtuesit më të lartë të këtij shteti, socialisti Blushi duket që nuk e ka me shumë qejf shoqërimin e Kryetares së Kuvendit, me të cilën ai është konfrontuar ashpër politikisht, duke i thirrur prej disa vitesh jo më kryetare, por spikere e seancës apo kryetare pa mandat. Pavarësisht kësaj, Topalli në ditën e parë të vizitës së saj zyrtare në Baku u prit në pallatin presidencial “Zugulba” nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Më pas u prit nga kreu i Parlamentit të Azerbajxhanit, Oktay Asadov, me ftesë të të cilit edhe zhvilloi këtë vizitë. Ndërsa takimi me Kryeministrin Artur Rasizadejh u fokusua në shfrytëzimin e mundësitë e të gjitha potencialeve, për të realizuar një dimension të ri të bashkëpunimit dypalësh. Kryetarja Topalli në çdo takim siguroi se Shqipëria me pozitën e saj gjeopolitike, është një treg interesant për investitorët e huaj.