E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në Elbasan Berisha: “Do të përballemi me punisto–mafiozët”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur edhe një herë me tone të ashpra se qeveria e tij do të angazhohet në një proces transparence të të gjitha lidhjeve të paligjshme. Në qendër të akuzave të kryeministrit Berisha ishte Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, të cilin jo për herë të parë Berisha e akuzoi si drejtuesin e mafies më të rrezikshme në Evropë. Bojkotin e Kuvendit nga opozita dhe vazhdimin e linjës për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve, Berisha e cilësoi pasojë të aleancës punisto–mafioze. Kreu i Qeverisë ka shtuar gjithashtu se këto qëndrime të opozitës nuk do të pengojnë procesin e rëndësishëm për shqiptarët, atë të liberalizimit të vizave. Nga Elbasani ku ndodhej në takime zyrtare me rastin e 100-vjetorit të Normales së këtij qyteti, Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve dhe mbi protestën e paralajmëruar të drejtuesve vendorë socialistë më 5 dhjetor. Kryeministri tha se drejtuesit lokalë duhet të vënë mbi të gjitha interesat e qytetarëve. Për këtë, Berisha kujtoi rritjen e madhe që kanë pësuar grantet akorduar bashkive, pavarësisht përfaqësimit të tyre politik. Berisha iu referua për këtë Bashkisë së Beratit, Vlorës, Fierit si dhe Tiranës.

Deklarata

“Përpjekjet e opozitës, misionarët e saj të dërguar në Bruksel nga Edvin Rama, siç ka dërguar të birin e Sul Bushatit për të lobuar kundër liberalizimit të vizave, ju garantoj se do të shumëzohen me zero dhe kjo jo se Brukseli nuk vlerëson dhe nuk konsideron opozitën, por kur opozita u bie bilbilave, kur opozita mbush faqe dhe defterë të tërë me shpifje e trillime, vetëm e vetëm që të mos liberalizohen vizat, trillimeve dhe shpifjeve askush nuk mund tu besojë dhe nuk mund ti vlerësojë”, - tha Berisha dje nga Elbasani. Ai shtoi se Shqipëria po ecën me seriozitetin më të madh në plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizmin e vizave, ndërsa ftoi qytetarët të pajisen me pasaporta biometrike. Kreu i Qeverisë ka pohuar më tej se, në rast se opozita nuk vendos të hyjë në Kuvend, atëherë do të zbatohet ligji për mandatin e ligjvënësve socialistë. “Ajo çka ne kemi denoncuar dhe kemi deklaruar është se një aleancë punisto-mafioze, e konsoliduar dhe e shfaqur, e kryesuar nga zoti Rama, nuk do të mund të imponojë asgjë dhe kjo qeveri është e vendosur të përballet me të gjithë forcën e ligjit me mafien, me klanin punisto-mafioz. Të jeni të sigurt se këto nuk janë shpifje, por realitete”, - tha ai. Për të faktuar këtë deklaratë Berisha shtoi se “ishte terroristi Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, në vitin 96, që, me një skenar të kobshëm për vendin, tërhoqi Partinë Socialiste, dy orë para mbylljes së kutive të votimit”. Berisha pohoi se opozita nuk njeh një proces zgjedhor të certifikuar nga OSBE/ODIHR, të certifikuar nga Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Asambleja Parlamentare e NATO-s. Lidhur me paralajmërimin e vendorëve për të bojkotuar shërbimet ndaj qytetarëve, ai tha se shpreson që të zgjedhurit vendorë vendosin të parin qytetarin dhe jo karrigen e Edi Ramës dhe interesat e aleancës punisto-mafioze.

Ky lajm është publikuar: 02/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›