E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekët e OSSH-së të zhytur në borxhe, 2 miliardë lekë KESH

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas vendimit të Komisionit Evropian për të hetuar grupin çek të energjisë ÇEZ, për mosrespektim të rregullave të tregut, kjo kompani rezulton të ketë probleme dhe në Shqipëri. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i privatizuar nga çekët, i ka borxh kompanisë së prodhimit të energjisë KESH, një shumë që kap shifrën e afro 2 miliardë lekëve të reja.

Flet drejtori Stojku

Gjatë një komunikimi për medien, drejtori i KESH-it Muharrem Stojku thotë se pronarët e rinj çekë, prej muajsh kanë fatura të papaguara nga blerja energjisë. Kjo situatë vë në vështirësi bilancin financiarë të kompanisë KESH e cila mban përgjegjësi për furnizimin e vendit me energji elektrike. “Bëhet fjalë për detyrime të prapambetura që nisin nga 1 korriku i këtij viti të cilat OSSH nuk i ka paguar”- shprehet Stojku. Sipas tij për këto detyrime kompani private ka disa argumente, për të cilat po dialogohet për të gjetur një zgjidhje. Parashikohet që brenda këtij viti të paguhen 50% të këtij detyrimi. Nisur nga këto të dhëna rezulton se çekët nuk paguajnë faturat që në momentin që ata kanë marrë në dorëzim drejtimin e kompanisë. E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e borxhit të vjetër prej 13 miliardë lekë që institucionet shtetërore nuk i paguajnë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Në këto kushte pronarët çek kanë gjetur mënyrën për të penalizuar kompaninë shtetërore KESH duke mos paguar faturat. Por drejtori Stojku thotë se nga fillimi i vitit do të hartohet një kontratë e re me kompaninë OSSH për ti dhënë zgjidhje kësaj situate. “Nga fillimi i vitit 2010 do të hartojmë një kontratë të re,e cila do të përcaktojë më saktë detyrimet ndaj palëve por njëkohësisht do të vendosim edhe penalitete në rast mos pagimi në kohë të detyrimeve”- tha Stojku. Shitja e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë mund të konsiderohet si privatizimi më i vështirë i qeverisë shqiptare. Ky proces duket se ka lënë pa zgjidhur borxhet e vjetra, duke nisur një konflikt të ri mes KESH-it dhe OSSH-së. Nisur nga këto detyrime si dhe nga humbjet teknike në rrjet, çekët kanë kërkuar rritjen më të lartë historike të energjisë, me 44.2 %.

Kërkesa për çmimin e energjisë

Kompania CEZ ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë me 44 për qind me konsumatorët shqiptarë. Në fund të muajit shtator, pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes aplikuan pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit të këtij produkti me pretendimin se po hasin me humbje të mëdha dhe se janë duke shitur nën kosto. "Ne aplikuam për një rritje të çmimit të energjisë në masën 44.2 për qind, i cili do të mbulonte kostot dhe do të dilnim me humbje zero, por në kushtet aktuale ne kërkojmë që në vitin e ardhshëm çmimi të rritet me 23.1 për qind dhe diferencën prej 21.1 për qind do ta kërkojmë gjatë vitit 2011", - do të thoshte disa ditë më parë drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Josef Hejsek.

Ky lajm është publikuar: 02/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›