Vizita në Itali, Berisha: Nuk munda të takoj mikun tim, Silvio Berluskoni

Kryeministri Berisha gjate nje mbledhjeje qeverie / Foto arkiv
Ashtu siç ndodh sa herë kthehet nga vizitat jashtë vendit, kryeministri Berisha i ka kushtuar një pjesë të kohës së mbledhjes së qeverisë vizitës së tij në Itali. Ai e ka cilësuar si të suksesshme vizitën në shtetin fqinj, ku është takuar me krerët më të lartë.
Duke u ndalur në takimin me presidentin italian, Xhorxho Napolitano, dhe kryeministrin Mario Monti, Berisha tha se ka marrë prej tyre mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë.
Presidenti Napolitano, kryeministri Monti dhe kryetari i Parlamentit, Fini, mbështesin dhe janë shumë të interesuar që Shqipëria të arrijë progresin dhe të marrë statusin e vendit kandidat, natyrisht kjo në bazë të meritës dhe performancës, tha Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Italia e ka mbështetur vendin tonë në 20 vite dhe vazhdon ta mbështesë. Ishte prekëse për mua ku kryeministri Monti më njoftoi se pavarësisht nga vështirësitë, qeveria ka vendosur të japë një ndihmë tjetër prej 52 milionë eurosh, në kuadër të marrëveshjes së partneritetit strategjik që kanë firmosur qeveritë e të dyja vendeve, tha Berisha.
Për Berishën, i vetmi peng gjatë vizitës së pak ditëve më parë ishte ai i pamundësisë për të takuar ish-kryeministrin Berluskoni.
Nuk arrita të takoj mikun tim, Silvio Berluskoni, sepse ishte në ceremoninë e betimit të presidentit rus, Vladimir Putini, tha Berisha. / G.N.