E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurori i Antimafies italiane nuk e barazon organizimin e shqiptarëve në lartësinë e Kamorrës

Piero Grasso: Organizatat e mëdha italiane i përdorin shqiptarët në trafikun e drogës dhe të armëve

Prokuroi kombëtar i Antimafies italiane, Piero Grasso, i cili viziton Shqipërinë për të dytën herë në harkun kohor të 18 muajve, vlerëson bashkëpunimin me institucionin qendror të akuzës shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Njeriu më i rëndësishëm i akuzës së shtetit fqinj e shikon si hap mjaft pozitiv miratimin e ligjit Antimafia dhe thotë se ai u vjen në ndihmë proceseve të hetimit dhe sekuestrimit të pasurive të vendosura në rrugë kriminale. Sipas Grassos, Shqipëria ka në dispozicion mjete të ashpra, teknike, gjykuese, që janë përdorur për luftën kundër mafies, ku më e rëndësishmja është krijimi i institutit të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të ashtuquajturit të penduar. Ndërsa duke iu referuar organizatave kriminale shqiptare që veprojnë në Itali, kreu i Antimafies shprehet se ato nuk janë kurrë në lartësinë e organizimeve mafioze të tipit Kamorra. Grasso deklaron se ka disa familje të veçanta, që bëjnë trafik të lëndëve narkotike dhe armëve në Itali, të cilat përdoren nga organizatat e mëdha italiane për pjesën më të madhe të rrezikut dhe përgjegjësisë. Si aktivitet të mirëfilltë të organizatave kriminale shqiptare, kreu i Antimafies italiane shquan shfrytëzimin e prostitucionit dhe shitjen e qenieve njerëzore në aspektin e shfrytëzimit, në formën e skllavërisë.

Vizituat Shqipërinë në muajin nëntor të vitit 2008. Nga ajo kohë e deri tani, cili është ndryshimi që shikoni?

Impakti i parë ka lidhje me motin, pasi këtu gjeta diellin.
Impakti i dytë është se kam parë disa shirita me sloganet “Itali-Shqipëri, dy popuj një det”. Këto janë gjërat e para që pashë, kështu që arrita në konkluzionin se kjo është një mënyrë për të shkëmbyer përvoja, por edhe një mënyrë për sa i takon të ardhmes europiane të Shqipërisë, sepse është e qartë se duke ecur në këtë formë u afrohemi edhe standardeve europiane dhe kështu favorizohet hyrja edhe në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst po flisnim edhe me ambasadorin, nga aq sa mund të shihet nga jashtë, është një vend që duket se nuk po e vuan krizën. Këto janë përshtypjet e mia të para pas dy vjetësh, në 2008-n.

Si e shikoni bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare?

Për sa i takon marrëdhënies së bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare janë të jashtëzakonshme, i kemi zgjidhur në kohë të shpejtë dhe në mënyrë eficente problemet e bashkëpunimit mes palëve. Sot ndodh që shpesh prokurorët dhe gjyqtarët marrin kontakte direkte, të drejtpërdrejta, duke i kapërcyer disa pjesë në mënyrë të nxituar. Në realitet më pas ka probleme për të gjetur ku kanë përfunduar këto praktika të nevojshme. Pak muaj më parë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, erdhi në Romë dhe kemi riformuluar një projekt bashkëpunimi konkret për një seri rastesh, që i kemi kryer në mënyrë të shpejtë dhe nesër do të kompletojmë. Kemi një takim në prokurori për të parë fytyrën tjetër, lidhur me çështjet e kërkuara nga ne. Kemi raporte shumë të mira.

Së fundi, Parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj të ri për sekuestrimin, bllokimin dhe konfiskimin e pronave, që quhet dhe ndryshe ligji “Antimafie”. Si e shikoni këtë ligj?

Le të themi që i ndjekim me vëmendje pikërisht disa ligje shqiptare, sepse janë ligje që i përshtaten strategjisë globale për të luftuar mafien dhe organizimet e tjera kriminale. Kështu e shohim në ndihmë miratimin e këtij ligji, për shembull edhe në masat e parandalimit mbi pronësinë, sekuestrimin, konfiskimin, që është edhe baza e këtij që ne sot në Itali e shohim si prioritet të luftës ndaj krimit. është prioritet, sepse krimi i organizuar krijon të ardhura dhe sigurisht përfitimet, paratë janë qëllimi i tij. Zgjidhje është sekuestrimi, por problemi është të gjesh paratë dhe pronat, sepse, sipas meje, kjo është kryesorja. Sot kërkohen pronat ashtu siç kërkohet i kërkuari, i zhdukuri.

Si vepron prokuroria juaj në bllokimin e pronave të mafies?

Ne në Itali kemi një politikë gjykimi që bazohet mbi goditjen e pronave. Në dy vjet janë sekuestruar gati 7 miliardë euro dhe natyrisht jo të gjithë do të konfiskohen, por është një shifër e mirë. Pikërisht sot me ministrin e Brendshëm Maroni, kemi inauguruar Agjencinë e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara që duhet të racionalizojnë drejtimin e tyre jo vetëm në destinacionin e dobisë sociale, institucionale, por edhe në shitjen e tyre. Kjo, në rastin kur destinacioni është i pamundur, për të rifituar fonde, për të gjetur mënyrën e menaxhimit të këtyre pronave. Ne kemi realizuar sot diçka që e kishim realizuar në Shqipëri pak vite më parë. Natyrisht që çdo vend ka momentin e duhur politik për të çuar përpara gjëra të tilla. Por edhe pa agjencinë ne jemi kujdesur edhe më parë për aspektin e destinacionit të pasurive të konfiskuara.

Pa dashur kemi kaluar te një fushë, e cila prek të dyja vendet: atë të krimit ekonomiko-financiar. Shpeshherë kemi dëgjuar se shumë shqiptarë, të arrestuar në Itali, investojnë fitimet në Shqipëri. A ka një bashkëpunim për evidentimin e këtyre rasteve dhe çfarë është kryer deri më tani?

Shqipëria ka disa mjete të ashpra, teknike, gjykuese, që do të thosha se janë përdorur për luftën kundër mafies, jo vetëm sekuestrimi dhe konfiskimin e pasurive por, për shembull, edhe institutin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të ashtuquajturit të penduar. Pastaj një seri mjetesh si përgjimet telefonike, mjedisore, do të thotë nëpërmjet prezencës, agjentë të infiltruar në organizata. Arrestime apo sekuestrime, me qëllim për të arritur në rangjet e larta të kriminalitetit, pa mbetur vetëm te korrierët e drogës. Një organizim i magjistraturës, policisë dhe ministrisë që ndihmon këtë luftë.

Të gjitha këto gjëra i gjejmë edhe në Shqipëri, të cilat janë aktualizuar dhe praktikuar, kështu që nuk mund të them gjë tjetër, përveç se jam i kënaqur nga kjo marrëdhënie bashkëpunimi që ka arritur në atë nivel, që do të thosha se gjërat duhen parë me objektivitet. Në sensin që kemi bërë një përshtatshmëri italo-shqiptar, mbi bashkëpunimin në nivelin e asistencës gjykuese që është duke u ratifikuar dhe do të vijë me vrull. Janë disa fusha bashkëpunimi, si për shembull mundësia e ekstradimit të atyre që janë dënuar në Itali dhe që janë strehuar në Shqipëri. Kjo për ne është me rëndësi, sepse aktualisht, sipas ligjit tuaj, një shtetas shqiptar nuk mund të ekstradohet. Kalimi i kësaj pike për ne paraqitet me rëndësi.

Cila është struktura e krimit të organizuar shqiptar në Itali?

Duhet të them që janë disa grupe, nuk mund të flitet për një organizim, si organizatat e mëdha të mafies, Kamorrës. Do të ishte e gabuar të imagjinoje në këtë lartësi. Por ka disa familje të veçanta, me marrëdhënie të afërta, nga një mënyrë këndvështrimi, që bëjnë disa lloje trafiqesh në Itali.

Rreziku është që organizatat e mëdha italiane përdorin për pjesën më të madhe të rrezikut dhe përgjegjësisë organizatat shqiptare, për sa i përket trafikut të lëndëve narkotike, armëve.
Si aktivitet autonom i organizatave kriminale shqiptare është shfrytëzimi i prostitucionit, shitja e qenieve njerëzore, në aspektin e shfrytëzimit, në formën e skllavërisë.

Këto janë aktivitetet kryesore në Itali që zhvillohen në disa zona ku ka një marrëveshje me kriminalitetin lokal. Për shembull, në jug krijohet metoda e marrëveshjes. Në një hetim ka një shkëmbim të armëve, eksplozivëve, lëndë narkotike, kokainë, me çmime më të lira, zbritje dhe në këmbim organizata jepte leje për të përdorur copat e territorit, rrugët për prostitucion. Jepnin territorin dhe kërkonin gjëra të tjera në këmbim. Pra kemi këtë marrëdhënie shkëmbimi. Për pjesën tjetër ka edhe një kriminalitetet, jo medoemos e organizuar, por në mënyrë individuale. Njerëz që kryejnë shkelje në sferën e rrëmbimit ose krime të tjera në fushën e pronave. Këto janë krimet që mendoj se krijojnë pjesën më të madhe të pasigurisë së popullatës italiane.

Piero Grasso

Më 11 tetor të vitit 2005 u zgjodh Prokurori Kombëtar i Antimafies, pasuesi i Pier Luigi Vingna, i cili la detyrën në gusht të vitit 2005, për shkaqe të kalimit të moshës.

Kandidatura e tij u vendos në qendër të polemikave në botën e gjyqësorit dhe politikës, pasi ishte shumë më probabël kandidimi Prokurori i Republikës, Gian Carlo Caselli.

Piero Grasso nisi Cursus Honorum më 1969-n kur ishte në gjyqësor. Në mes të viteve ’70 është marrë me investigimin mbi administratën publike dhe krimin e organizuar.

Vendoset kreu i hetimit lidhur me vrasjen e Piersanti Mattarella, më 6 janar 1980.

Më 1984-n mbulon detyrën e gjykatësit në procesin e madh të Cosa Nostra-s, (10 shkurt 1986-10 dhjetor 1987) 475 të dyshuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›