Vizitë familjarëve të invalidëve e veteranëve të UÇK-së në Durrës

Edhe për vitin 2013 Qeveria e Republikës se Kosovës, me qëllim të rehabilitimit të invalidëve të luftës së UÇK-së, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, ka ndarë një shumë të konsiderueshme mjetesh. Aktualisht, në bregdetin shqiptar, në Durrës po qëndrojnë familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Për t’u njohur me kushtet e akomodimit dhe gjendjen e tyre, zv./ministri i MPMS-së, Fatmir Shurdhaj, dhe këshilltari i kësaj ministrie, Viktor Mehana, vizituan këtë kategori pushuesish që po qëndrojnë për pushim dhe rehabilitim në plazhin e Durrësit në Shqipëri.
në vijim të kësaj komunikate thuhet se Shurdhaj u njoftua nga afër me kushtet e pritjes në hotel ku ata janë vendosur. Ai tha se këto kategori të dala nga lufta meritojnë respekt të veçantë, duke shtuar se kjo përkujdesje do të vazhdojë edhe në të ardhmen pasi këto kategori meritojnë trajtim të dinjitetshëm.
Familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së u shprehën të kënaqur dhe të nderuar me vizitën që iu bëri Shurdhaj dhe shprehën falënderim të veçantë për kujdesin që po tregojnë institucionet e vendit ndaj tyre./Indeksonline/