E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkupi do t’i kërkojë OKB-së formatin e dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri Nikolla Grueski propozon modelin e Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e kontestit të Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit. Ai kërkon që bisedimet të zhvillohen në nivel të kryeministrave, me ndërmjetësim të një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar.

Kjo kërkesë vjen pas ngecjes së procesit negociues dhe refuzimit të kërkesës së tij nga Athina për negociata direkte me kryeministrin Andonis Samaras.

“Me qëllim të përshpejtimit të procesit të bisedimeve dhe për një vëmendje më të madhe ndaj kësaj çështjeje, nga të gjitha palët e përfshira, do t’i drejtohem OKB-së me qëndrim për ndryshim të formatit të bisedimeve, që të ndiqet shembulli i dialogut Kosovë-Serbi, gjegjësisht që bartës të ekipeve të dy vendeve të jenë kryeministrat, të cilët së bashku me ekipet e tyre të arrijnë deri në një zgjidhje e pranueshme për të dy palët”, ka deklaruar Gruevski në një manifestim të organizuar në qytetin e Krushevës, me rastin e 2 gushtit, festës kombëtare të Maqedonisë, njofton Rel.

Ndërkohë, presidenti Gjorgje Ivanov, në një manifestim tjetër, gjithashtu kushtuar festës kombëtare, ka përjashtuar çdo mundësi për ndryshimin e emrit kushtetues të vendit të tij.

“Nga ne kërkohet të heqim dorë nga emri, nga identiteti ynë. Emri dhe identiteti janë pjesë jona dhe ne jemi pjesë e tyre. Emri dhe identiteti janë si lumi që rrjedh ndër shekuj, me ose pa ne. Të heqësh dorë nga identiteti, është sikur të kërkosh shuarjen e lumit, ujin e të cilit e pimë”, ka deklaruar ai.

“Republika e Maqedonisë është ajo që sot mbron identitetin, gjuhën dhe kulturën. Republika e Maqedonisë është ajo që sot mbron sigurinë tonë, i mbron fëmijët tanë. Sot në Republikën e Maqedonisë jemi zot të vetvetes”, shtoi Ivanov./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›