E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizitohet Qendra e Ndalimit, të dyshuarit: Nuk kemi ankesa për policinë

Prishtinë, 15 Janar NOA - Hulumtues të
KMDLNj-së (Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut),
vizituan Qendrën për Ndalim në Prishtinë ku edhe intervistuan 3 nga 6 të
ndaluarit që ishin aty.

Asnjëri nga të intervistuarit nuk kishte
vërejtje për sjelljen e policëve gjatë arrestimit dhe trajtimit që iu bëhet nga
oficerët gjatë qëndrimit në këtë Qendër.

Në mesin e të intervistuarve ishte edhe i
ndaluari Driton Hajdari i njohur nga rasti Bllaca i cili më 12 janar (tre ditë
më parë) është arrestuar nga policia e EULEX-it.

As ky nuk pati asnjë vërejtje ndaj policëve që
e arrestuan e as ndaj personelit tjetër zyrtar. Hulumtuesit e KMDLNj-së
konstatuan se në asnjë rast të arrestimit nuk ka pasur shkelje të procedurës e
as shkelje të të drejtave të njeriut.

Të gjithë të arrestuarit me kohë janë njoftuar
me të drejtat e tyre andaj nuk kanë paraqitur asnjë ankesë.

KMDLNj siguron se edhe këtë vit do ti
monitorojë Qendrat e Ndalimit, Burgjet hetuese dhe Qendrat Korrektuese si dhe
proceset gjyqësore që ndërlidhen me të drejtat e njeriut.

a.b/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›