E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doli për skrap, gjymtohet nga kapsolla 50-vjeçari

Shkon për të nxjerrë skrap dhe hekura, plagoset nga një kapsolle. Ngjarja ndodhi dje në mëngjes, rreth orës 08:30, në Malin e Kuq, kur 50-vjeçari Ridvan Rakipi, nga fshati Floq, i detyruar nga kushtet e vështira ekonomike të familjes kishte shkuar te zona e bunkerëve. Burimet e policisë bënë të ditur se i dëmtuari ishte nisur në mëngjes nga shtëpia për të nxjerrë hekura për skrap. Në momentin kur Rakipi ishte duke përdorur lëndë plasëse artizanale, për të hedhur në erë bunkerin dhe për të nxjerrë më pas hekurin, një kapsollë i ka shpërthyer duke i prerë gishtat. Policia ka thënë se 50-vjeçari ka marrë plagë në pjesën e duarve dhe më pas ka humbur ndjenjat. Ai është gjetur nga disa kalimtarë të rastit, i përgjakur dhe pa ndenja, ndërkohë që sipas policisë, të afërmit e kanë transportuar më pas drejt spitalit civil. Nga hetimet rezultoi se shkak për plagosjen e 50-vjeçarit ka qenë përdorimi i lëndëve plasëse të prodhuara në mënyrë artizanale enkas për të kryer shpërthime në bunkerë. Mësohet se pas ndërhyrjes mjekësore, ai ka dalë nga gjendja kritike për jetën, por ka humbur gishtat e duarve si pasojë e dëmtimit të marrë nga kapsolla të cilën e kishte prodhuar vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›