Kuzhe, eksperimente për fantazistin
Kur mungon vetëm një muaj nga starti i eliminatoreve të Euro 2012, Kombëtarja shqiptare është në alarm të plotë. Pas problemeve në repartin difensiv, ku nevojitet të paktën një mbrojtës qendre, i cili nuk do ta bëjë më të nevojshëm “sakrifikimin” e Lorik Canës apo Debatik Currit, tashmë shfaqen probleme serioze edhe në fazën ofensive. Ervin Skela, i cili vazhdon të jetë pa ekip, nuk ka pranuar të grumbullohet në përfaqësuese, të paktën deri sa e ardhmja e tij të zgjidhet. Mesfushori vlonjat ia ka komunikuar këtë vendim trajnerit Josip Kuzhe, ndërsa mungesa e 33-vjeçarit është një mungesë e rëndë në kuadër të dy sfidave të para në Grupin D me Rumaninë (më 4 shtator në Bukuresht) dhe Luksemburgun (më 8 shtator në Tiranë). Për këtë arsye, drejtuesi i stolit kuqezi është detyruar ta shfrytëzojë miqësoren e 11 gushtit për të eksperimentuar në rolin e fantazistit. Në listën e publikuar dje pasdite, me lojtarët që do të ketë në dispozicion kundër Uzbekistanit, emri i Skelës është zëvendësuar nga ai i fantazistit të Dnjepër Dnjepropetrovsk (i cili kërkohet nga Dinamo), Dorian Bylykbashi. Megjithatë, elbasanasi nuk është kandidati i vetëm për rolin e mesfushorit të avancuar, në skemën 4-2-3-1. Miqësorja e së mërkurës së ardhshme, e cila do të zhvillohet në orën 20:30 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, është një shans i mirë edhe për Elis Bakajn. Lojtari i Dinamos ka mundësinë të tregojë se e meriton të jetë pasardhës i kapitenit aktual (në mungesë të Altin Lalës), por edhe ta shfrytëzojë sfidën me uzbekët për të gjetur një skuadër jashtë Shqipërisë. Nuk është për t’u anashkaluar mundësia që në rolin e organizatorit të luajë Klodian Duro. Edhe pse në Kombëtare është aktivizuar më së shumti në krah, ai ka treguar se mund të jetë vendimtar edhe në qendër: pikërisht ashtu si ndodhi për shumë minuta gjatë miqësores së fituar 6-1 me Qipron, në gusht të vitit 2009.
Trajneri Kuzhe ka bërë edhe disa ndryshime nga lista e mëparshme me 26 lojtarë për dy miqësoret me Malin e Zi (më 25 maj) dhe Andorrën (më 2 qershor). Gjithsesi, ato kanë prekur vetëm lojtarët e rinj që ishin “thirrur nën armë” afro dy muaj më parë. Në fakt, në portë është rikthyer Arjan Beqaj, ashtu sikurse i gatshëm është edhe Samir Ujkani. Portieri i tretë është Isli Hidi, ndërsa jashtë skuadrës është lënë “gardiani” i ri i Elbasanit, Ervin Llani, i cili debutoi me fanellën kuqezi në çastet e fundit të ndeshjes me Andorrën. Jashtë skuadrës kanë mbetur edhe mbrojtësi Ditmar Bicaj, mesfushori Emiljano Veliaj, si edhe dy sulmuesit Bekim Bala e Parid Xhihani. Ende nuk dihet nëse këta lojtarë nuk e kanë bindur trajnerin dhe nuk do të jenë në planet e mëvonshme, apo “shkurtimi” ka qenë i detyruar për faktin se tani luhet vetëm një ndeshje dhe objektivi kryesor është ndërtimi i kontingjentit për eliminatoret. Nga të rinjtë u konfirmua vetëm sulmuesi kosovar, Ahmed Jonuzi, të cilit ende nuk i është dhënë mundësia të aktivizohet. Për pjesën tjetër të kontingjentit mund të thuhet që janë grumbulluar të gjithë lojtarët kryesorë, duke përfshirë edhe Lorik Canën, i cili është rikuperuar nga dëmtimi i lehtë që pësoi në miqësore me Gallatasarain. Gjergji Muzaka duket se e ka bindur trajnerin, ndërsa pjesë e skuadrës janë edhe Jahmir Hyka dhe Gilman Lika, të cilët po kërkojnë të ndryshojnë skuadër në këtë merkato.
#