E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, makina përplas tre plazhistë 20-vjeçarë

 

DURRES - KORÇE - Tre të rinj nga Tirana u aksidentuan rëndë dje në zonën e plepave në Durrës, teksa u përplasën nga një mjet. Djemtë, që të tre 20-vjeçarë kishin shkuar nga Tiranë në qytetin bregdetar për plazh, por pësuan aksident në momentin, që po tentonin të kalonin nga njëri kah i rrugës në tjetrin. Mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 09:00 tek rrethrrotullimi në afërsi të Plepave, rreth 7 kilometra larg qytetit të Durrësit. Mjeti tip "Ford" me targë DR 0525 D që drejtohej nga 52-vjeçari Muharrem Avdyli doli nga rruga duke aksidentuar rëndë Eugen Likën, Erion Metahun dhe Ardian Jaupin. Policia e sinjalizuar për ngjarjen e ndodhur mbërriti menjëherë në vendin e aksidentit dhe nisi hetimet për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat, ndërsa plazhistët e aksidentuar u nisën për në spitalin e qytetit të Durrësit. Burime nga spitali bënë të ditur se 20-vjeçari Erion Metahu ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa dy bashkëmoshatarët e tij, Eugen Lika dhe Ardian Jaupi janë jashtë rrezikut. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan grupit të hetimit se tre të rinjtë zbritën nga një mjet që vinte nga Tirana dhe u aksidentuan në momentin kur ata do të kalonin në anën tjetër të rrugës. Sipas tyre, mjeti me targa të Durrësit i kishte përplasur duke i aksidentuar rëndë. Dy aksidente ndodhën dje edhe në qarkun e Korçës, por fatmirësisht pa viktima. Sipas policisë, motoçiklisti grek Jani Mihalis, 37 vjeç nga Kosturi u aksidentua në aksin Pogradec-Kapshticë, teksa ishte me disa bashkatdhetarë të tij. Ai doli nga rruga për shkak të shpejtësisë, por pasi mori ndihmën e parë e kaloi rrezikun për jetën. Edhe në autostradën Korçë-Kapshticë një makinë doli dje nga rruga ku mbeti i plagosur shoferi.                                     o.u/j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›