E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e PS-se policia hedh poshte pretendimin

Publikimi në media për vjedhjen zyrave të selisë së Partisë Socialiste në Tiranë duket se ka befasuar policinë e kryeqytetit. Burime pranë drejtorisë së policisë së qarkut thanë se nga ana e Partisë Socialiste nuk ishte bërë asnjë njoftim apo denoncim për vjedhje. 
Të njëjtat burime thanë se pas interesimit të policisë nga ana e drejtuesve të Partisë Socialiste të Tiranës nuk është pranuar të ketë patur ndonjë ngjarje. 
Burimet i referoheshin komunikimit të zyrtarëve të policisë së Tiranës me kreun e Partisë Socialiste për kryeqytetin, Saimir Tahiri, i cili u është shprehur se nuk ka asnjë problem. 
Në shkrimet në mediat e shkruara flitej për dy vjedhje brenda pak ditësh. 
Mediat citonin se ishin vjedhur telefona dhe aparate fotografikë si edhe se ishte tentuar hapja e derës së dhomës ku ndodhet baza e të dhënave kompjuterike.
Në fakt, në selinë e Partisë Socialiste ditët e fundit janë vërejtur vendosja e sistemeve të monitorimit me kamera të ambjenteve. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›