Vjedhjes së votave i bashkohet edhe KQZ-ja

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përsëritjen e zgjedhjeve vetëm në komunat e Deçanit, Drenasit, Malishevës, Lypjanit dhe Skenderajt, sipas “Vetëvendosjes” ishte i padrejtë dhe i pjesshëm, ndërkaq sipas kësaj lëvizje tashme krimi nuk është vetëm partiak por edhe institucional, sepse vjedhjes i bashkohet edhe KQZ-ja.
Lëvizja “Vetëvendosje” theksoi se do të vazhdojë të tregojë fakte të vjedhjeve të votave në tërë Kosovën, sepse janë të bindur dhe dëshmitarë se manipulimi nuk ka qenë vetëm në këto komuna.
“Drejtësia nuk mundet me qenë e pjesshme, ose ka drejtësi ose nuk ka. Ne nuk do të lejojmë që një proçes i manipuluar në tërësi të pastrohet vetëm në disa pjesë të tij”, u tha në konferencën e “Vetëvendosjes”.
Përfaqësues të lëvizjes “Vetëvendosje” në një konferencë për media tërhoqën vërejtjen për manipulimin e votave edhe në qytete tjera të vendit nga komisionerët dhe militantët e partive politike.