E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e Haradinajt e befasuar nga Haga

Michael O`Reilly, kordinator i mbrojtjes së Haradinajt ka thënë se, mbrojtja është thellësisht e befasuar dhe e zhgënjyer me vendimin e Dhomës së Apelit për anulimin e vendimit të Trupit Gjykues për lirimin e përkohshëm të Haradinaj gjatë periudhës së pushimeve.
“Për fat të keq, nuk do të ketë mundësi të tjera për ankesë dhe me këtë rast z. Ramush Haradinaj do të mbetet ende në Hagë. Sa i përket raporteve mediatike, se kryeministri Thaçi synon të vizitojë z. Haradinaj për të diskutuar çështje politike, duhet theksuar se ky takim në radhë të parë duhet të kërkohet nga vetë Haradinaj dhe duke marr për bazë të gjitha rethanat, një kërkesë e tillë për takim do të refuzohej nga Tribunali”, thuhet në një deklaratë për media të mbrojtjes së Ramush Haradinajt.
 

Të enjten Tribunali i Hagës hodhi vendimin e saj paraprak dhe miratoi kërkesën e Prokurorisë që Haradinaj mos të lirohet me arsyetimin se “prania e tij në Kosovë do t`i frikësonte dëshmitarët”.
Në fillim trupi gjykues kishte marrë vendim pozitiv, për ta liruar Haradinaj të qëndrojë në Kosovë prej 17 dhjetorit të këtij viti e deri më 14 janar të vitit të ardhshëm, por pas ankesës së Prokurorisë, vendimi për lirim të përkohshëm është anuluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›