E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen Bursarpori

Mundi i udhëheqësve të futbollit kosovar nuk ka shkuar huq. Ata kanë arritur t’ia sigurojnë përfaqësueses së Kosovës ndeshjen miqësore me klubin Bursaspor. Kosovarët do të luajnë me kampionin turk më 27 mars në Prishtinë. Të dyja palët janë shprehur të kënaqura për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Nga Moral Pozhegu më 16 mars 2011 në ora 18:33

(E plotësuar) Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka arritur t’ia sigurojë përfaqësueses së Kosovës ndeshjen miqësore me kampionin turk, Bursaspor.

Ashtu siç kishte paralajmëruar Gazeta Express, shtëpia e futbollit kosovar e ka shfrytëzuar datën e lirë të FIFA-s për ta sjellë në Prishtinë klubin turk.

Më saktësisht, ndeshja miqësore Kosova-Bursaspor do të zhvillohet më 27 mars, ditën e diel, nga ora 15, në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Zhvillimi i këtij takimi është bërë zyrtar të mërkurën në një konferencë për shtyp, të cilën e ka organizuar vetë FFK.

“Më në fund e arritëm qëllimin. Kosova do ta zhvillojë ndeshjen miqësore me Bursasporin. Ndeshja do të zhvillohet më 27 mars. E falënderojmë këtë klub që e pranoi ftesën tonë”, ka thënë kreu i futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Ndërsa nënkryetari i Bursasporit, Mustafa Yedikardes, shprehu kënaqësinë e tij që e vizitoi Kosovën, për ta konfirmuar zyrtarisht përgjigjen pozitive që e dha klubi turk për të luajtur në Kosovë.

Ai tregon se gjithçka rreth kësaj ideje ka nisur kur krerët e futbollit kosovar kishin udhëtuar drejt Turqisë, muaj më parë, për t’ia uruar Bursasporit titullin e kampionit.

“Ata na bënë këtë propozim dhe ne menduam dhe e shqyrtuam një kohë. Duke iu falënderuar ministrive përkatëse, ne iu përgjigjëm pozitivisht kësaj ftese. Ne jemi shumë të interesuar t’i shkëmbejmë kulturat. Shpresoj që sa më shpejt të luani në gara ndërkombëtare”, theksoi Yedikardes i cili njoftoi se kontingjenti i Bursasporit do të vijë me ekipin komplet.

I pranishëm në konferencë ishte edhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Ai e ka vlerësuar këtë si eveniment tepër të rëndësishëm dhe si vazhdim i përpjekjeve të FFK-së për ndërkombëtarizim.

“Ky është një rezultat i angazhimit të udhëheqësve të futbollit kosovar. Është hap i mirë, hap i rëndësishëm, në drejtim të ndërkombëtarizimit. Nuk është pak ta sjellësh në Prishtinë kampionin në fuqi të Turqisë”, deklaroi Krasniqi i cili premtoi mbështetje nga institucioni të cilin ai e drejton për futbollin kosovar dhe për sportin në përgjithësi në vend.

Sipas tij, Bursaspor e nderon Kosovën me këtë vizitë, derisa shpreson që shikuesit të jenë të pranishëm në numër sa më të madh në stadium. Po ashtu, Krasniqi premtoi se Ministria e Sportit do të bëjë përpjekje që në Kosovë ta sjellë edhe Dinamon e Zagrebit, por edhe ekipe dhe përfaqësuese të tjera. Ai shpreson që FIFA sa më shpejt ta lejojë Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore e më pas ta pranojë me të drejta të plota.

Ndërkohë, bashkë me ekipin turk pritet të vijnë edhe 50 persona të tjerë nga Turqia, duke përfshirë biznesmenë, zyrtarë të shtetit dhe të sportit.

Konfirmohet miqësorja, Kosovë – Bursaspor

Ashtu siç kishte paralajmëruar Gazeta Express ditë më parë, përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me kampionin e Turqisë, Bursaspor.

Zhvillimin e kësaj ndeshje e kanë konfirmuar drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe të klubit turk gjatë një konference të mbajtur sot në Prishtinë.

Përfaqësuesja e Kosovës dhe Bursaspor do të përballen me 27 mars. Takimi do të luhet në stadiumin e kryeqytetit derisa do të fillojë nga ora 15:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›